Tragjedia në Bukuresht, presidenti rumun: Rregullat e sigurisë ishin injoruar

31/10/2015 17:20

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis ka deklaruar se në klubin e natës ku ra zjarri që u mori jetën 27 personave ishin injoruar kushtet e sigurisë.

“Jam i trishtuar, por edhe i revoltuar që një tragjedi e këtyre përmasave ka ndodhur në Bukuresht. Ne kemi të dhëna se udhëzimet ligjore nuk ishin respektuar. Shpresoj që autoritetet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe rigoroz”, ka thënë Iohannis.

Zjarri ra rreth orës 23:00, me orën lokale, në klubin “Colectiv”, ku po zhvillohej një koncert rok. Brenda raportohet se ndodheshin deri në 400 persona.

Të mbijetuarit tregojnë se zjarri ra pasi grupi i rokut ndezi disa fishekzjarre, shkëndijat e të cilave prekën tavanin dhe një shtyllë mbajtëse.

Më pas, në përpjekje për të dalë jashtë ndodhi një rrëmujë e madhe. Rreth 200 persona mbetën të plagosur, 140 prej të cilëve po mjekohen në spital për shkak të djegieve të rënda.

Ditën e shtunë qindra persona iu përgjigjën thirrjeve për dhurim gjaku. Qeveria rumune ka shpallur ndërkohë 3 ditë zi kombëtare, ndërsa kryeministri Victor Ponta u detyrua të ndërpriste një vizitë në Meksikë për t’u kthyer në Bukuresht.

Top Channel