Damasku: Dërgimi i trupave amerikane, akt agresioni

31/10/2015 18:05

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar trupa speciale në Siri është një akt agresioni sepse nuk është marrë në bashkëpunim me qeverinë siriane.

Është ky qëndrimi i deputetit sirian Sharif Shehadeh, sipas të cilit trupat amerikane nuk do të arrijnë asnjë rezultat.

“Trupat amerikane nuk do të kenë asnjë efekt në terren, por Uashingtoni dëshiron të tregojë se është i pranishëm në Siri”, ka thënë Shehadeh.

Trupat amerikane do të ndihmojnë forcat kurde dhe arabe për të zmbrapsur xhihadistët e ISIS dhe do të vendosen në veri të Sirisë.

Ato do të ndihmojnë edhe në koordinimin e forcave tokësore lokale me koalicionin ajror të udhëhequr nga vetë SHBA.

Por përveç kësaj nisme, Uashingtoni do të rrisë forcen e tij ushtarake me vendosjen e avionëve luftarakë “A-10” dhe “F-15” në bazën ajrore Inçirlik të Turqisë.

Vendosja e forcave operacionale është përshkallëzimi më i rëndësishëm deri me sot i fushatës ushtarake amerikane kundër Shtetit Islamik.

Top Channel