Superiore, Skënderbeu rikthehet në krye; Laçi barazon sërish

31/10/2015 00:00

Skënderbeu mundi me vështirësi 2-0 Flamurtarin dhe rikthehet pas dy javësh te fitorja dhe përkohësisht në krye të Kategorisë Superiore.

Kampionët e Mirel Josës e dominuan lojën, por hasën në rezistencën e madhe të portierit Halilaj, i cili në fund nuk arriti të mbante të paprekur rrjetën e tij.

Përpjekjet e vazhdueshme të korçarëve u shpërblyen në fillimin e pjesës së dytë falë Salihit, që shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Berisha.

Flamurtari tentoi të reagonte, por lojtarët vlonjatë nuk patën forcën e duhur për të rrezikuar portën e Shehit. Në fund, Olayinka vulosi fitoren e 7 të Skënderbeut në Superiore.

Ndërkohë, Laçi i Armando Cungut barazoi 1-1 me Tërbunin, duke regjistruar ndeshjen e 4 radhazi pa fitore, ndërkohë që për pukjanët kjo ishte pika e parë pas 6 humbjeve rresht.

Golin për Laçin e shënoi Mustafa, ndërsa atë për Tërbunin e shënoi në fundin e pjesës së parë Dhrahmi. Kjo ishte dhe pika e parë, që Tërbuni merr në Superiore në fushën e vetë.

I është rikthyer më në fund fitores edhe Bylisi, i cili mundi 3-1 Vllazninë. Ballshiotët fituan përballë një rivali të drejtpërdrejtë falë golave të Muçajt, Pepës dhe Hyshmerit, duke iu larguar fundit të klasifikimit.

Top Channel