Tragjedia e Sinait, Egjipti hedh poshtë pretendimet e ISIS

01/11/2015 00:00

Edhe pse hetimet kanë nisur për rrëzimin e avionit rus të rrëzuar në gadishullin e Sinait, duke lënë të vdekur të 224 personat në bord, kryeministri egjiptian, i cili vizitoi vendngjarjen, bëri të ditur se me shumë mundësi incidenti ajror mund të ketë ndodhur për shkak të një difekti teknik, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimet e militantëve të Shtetit Islamik si përgjegjës të aktit.

Ndërkohë, 3 nga kompanitë ajrore më të fuqishme, si “Emirates”, “Air France” dhe “Lufthansa” kanë vendosur të mos fluturojnë më mbi gadishullin e Sinait, për sa kohë që nuk është sqaruar ky incident dhe deri sa të bëhet publik më shumë informacion në lidhje me të.

Rusia, prej nga ishin edhe turistët në bordin e aeroplanit për transport pasagjerësh të rrëzuar ditën e djeshme, është duke mbajtur një ditë zie kombëtare, duke e cilësuar këtë si një ndër incidentet ajrore më fatkeqe. Megjithatë, kutitë e zeza të avionit janë gjetur në vendngjarje dhe janë dërguar menjëherë për analiza të mëtejshme, siç njoftojnë zyrtarët, gjë që mund të ndihmojë në hetimin e këtij rrëzimi.

Rrëzimi i avionit ndërkaq nuk është vetëm një goditje për Rusinë, por edhe një goditje shumë e madhe për industrinë e lëkundur të turizmit të Egjiptit, ndaj dhe për këtë shkak edhe autoritetet egjiptiane janë duke u përpjekur me të gjitha mundësitë të përshpejtojnë procesin e hetimeve.

“Airbusi A321” i kompanisë ajrore “Kogalymavia” u rrëzua orët e para të së shtunës, vetëm pak pasi ishte larguar nga resorti egjiptian i Sharm el-Sheikh për t’u kthyer në qytetin rus të Shën Pjetërburgut.

Ministri egjiptian i Aviacionit Civil, Hossam Kamal, tha se nuk ka ende shenja për ndonjë problem në bordin e avionit, duke rënë në kontradiktë kështu me raportimet e mëhershme se piloti kishte kërkuar të bënte një ulje të detyruar. Një tjetër zyrtar egjiptian tha se, përpara se avioni të humbiste kontaktet me kontrollorët e trafikut ajror, piloti kishte bërë të ditur se po përballej me probleme teknike dhe se do të përpiqej të ulej në aeroportin më të afërt të mundshëm.

Top Channel