Regbi, Zelanda e Re fiton Botërorin

01/11/2015 00:00

“All Blacks” nuk abdikojnë nga froni i më të fortit në regbi, edhe kur përballë kanë një kundërshtar si Australia.

Formacioni nga Zelanda e Re ka shkruar një tjetër faqe të historisë së këtij sporti burrëror dhe nëse më parë ishte një legjendë, tani po merr përmasat e një armate të pavdekshme në këtë sport.

Zelanda e Re është bërë skuadra e parë në planet e cila arrin për herë të dytë radhazi të fitojë Kupën e Botës. Këtë herë viktima e luksit ishte Australia, e cila në stadiumin e tejmbushur të Tuikënhemit u nënshtrua 34 me 17. Në këtë mënyrë, “All Blacks” përsëritin suksesin e sigluar 4 vjet më parë në Okland.

Një vend mes legjendave nuk mund të mungonte edhe për Richie McCow, i cili në paraqitjen numër 148 dhe të fundit me kombëtaren, bëhet kapiteni i parë në histori që ngre në qiell për herë të dytë një Kupë Bote.

Kjo është hera e parë që neozelandezët fitojnë titullin kampion në regbi larg shtëpisë.

Top Channel