Varreza siriane e Egjeut, humbin jetën 11 refugjatë pranë ishullit Samos

01/11/2015 00:00

Në një tragjedi të pafundme është shndërruar përpjekja e refugjatëve për të kaluar detin Egje, nga brigjet turke drejt ishujve grekë, me destinacion vendet e Europës Qendrore. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, të paktën 11 refugjatë sirianë kanë humbur jetën në zonën detare pranë ishullit të Samos.

Midis viktimave ndodhen 4 foshnja dhe dy fëmijë, të cilët janë mbytur vetëm 20 metra larg bregut. Grupet e Marinës detare, që vazhdojnë kërkimet, kanë shpëtuar 15 refugjatë të tjerë, ndërsa ende nuk ka informacione sesa është numri i atyre që konsiderohen të humbur.

Ndërkohë, në burgjet e ishullit grek të Lesbosit, në orët e mëngjesit deti ka nxjerrë edhe trupat e pajetë të 5 personave, mids tyre 3 fëmijë të vegjël. Deri më tani nuk dihet nëse viktimat i përkasin tragjedisë së ditës së mërkurë, kur një peshkarexhë me më shumë se 150 persona u mbyt pranë ishullit të Lesbosit.

Një barkë tjetër me 15 refugjatë është mbytur vetëm disa minuta, pasi u nis nga brigjet turke, sipas burimeve të “Frontex”, agjencisë të BE-së për menaxhimin e koordinimit operacional në kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare.

Ndërkohë, në portin e Pireut kanë mbërritur më shumë se 3300 emigrantë, me dy anije që janë nisur nga ishulli i Lesbosit.

Sipas gazetës “To Vima” të së dielës, 75% e grekëve ndjekin me shqetësim të madh këtë valë emigrantësh nga Turqia drejt Greqisë, në bazë të një sondazhi, sipas të cilit vlerësohet më shumë roli i shoqërisë në përballimin e krizës së refugjatëve, e më pas ai i trupave të Marinës detare, të policisë dhe në përgjithësi puna e qeverisë.

Si një mbështetje për Greqinë, që po mban barrën krysore si vend i parë europian i hyrjes së më shumë se 570 mijë refugjatëve brenda këtij viti, konsiderohet dhe vizita e kreut të PE-së, Martin Schultz, ditën e mërkurë dhe të enjte, i cili bashkë me kryeministrin grek do të vizitojnë ishullin e Lesbosit dhe do të ndjekin nga afër regjistrimin dhe pritjen e refugjatëve.

Gjithashtu, sipas burimeve nga Kryeministria, Tsipras ka në program një vizitë në Ankara, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, pasi Turqia luan rolin më të madh si porta e hyrjes në BE, sidomos për qindra e mijëra sirianë që largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar vdekjes dhe shkatërrimit të luftës civile 4-vjeçare.

Top Channel