Turqia voton e përçarë, mes frikës për sigurinë dhe dobësimin ekonomisë

01/11/2015 00:00

Turqit votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nën hijen e përkeqësimit të sigurisë dhe shqetësimeve ekonomike, e që me të gjitha gjasat do të ndikojë në rrugëtimin e një vendi tepër të polarizuar, ashtu si dhe në atë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Zgjedhjet e sotme janë të dytat në 5 muaj, pasi partia “AK” e themeluar nga Erdogani humbi në qershor shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, të cilët e siguronte që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002.

Prej atëherë, armëpushimi që ishte në fuqi me militantët kurdë është shkelur duke u kthyer në një gjakderdhje të përditshme thuajse, lufta në Sirinë fqinje është përkeqësuar, ndërsa Turqia, pavarësisht se është vend anëtar i NATO-s ka rënë prè e dy sulmeve kamikaze me bombë të marra përsipër nga Shteti Islamik, duke lënë të vdekur mbi 130 persona.

Investitorët dhe aleatët e Perëndimit shpresojnë që zgjedhjet do të sjellin qëndrueshmëri dhe do të rrisin besimin në ekonominë turke, duke i lejuar Ankarasë të luajë një rol edhe më të fuqishëm në përballimin dhe ndaljen e fluksit të emigrantëve drejt Europës, si dhe të ndihmojë në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Gjatë kësaj fushate ka pasur shumë më pak flamuj, postera dhe autobusë që u dyndën fuqishëm gjatë fushatës së muajit qershor. Por, Erdogan e ka konsideruar këtë rivotim të zymtë si tepër jetik për Turqinë, në mënyrë që të kthehet nën regjimin njëpartiak të partisë së themeluar prej tij, pas disa muajsh pasigurie politike.

“Këto zgjedhje do të jenë vendimtare për vazhdimësinë e qëndrueshmërisë dhe besimit”, tha ai, pas lutjeve të së shtunës në xhaminë e re të Stambollit. Megjithatë, ai premtoi se do të respektonte cilindo rezultat që do të dilte nga zgjedhjet.

Votuesit në Stamboll, gjithsesi, janë tepër të përçarë sa i përket pikëpamjeve të tyre për rikthimin te “regjimi” njëpartiak apo perspektivën që mund të ofrojë një drejtim vendi përmes koalicionit të dy ose më shumë partive.

“Partia AK thotë se regjimi njëpartiak sjell qëndrueshmëri, por nuk kemi parë ndonjë stabilitet të qenësishëm gjatë këtyre viteve të fundit”, thotë një 22-vjeçar me profesion infermier. “Neve na duhet një sistem mes kontrollit dhe ekuilibrave dhe një koalicion i gjerë besoj se mund ta ofrojë këtë”.

“Koalicionet nuk janë të mira për Turqinë. Duhet të kemi vetëm një parti në pushtet për të pasur qëndrueshmëri”, tha një 51-vjeçar, Kahraman Tuc, teksa votonte bashkë me bashkëshorten dhe të bijën. “Për të mirën e vendit, shpresoj që të kemi vetëm partinë AK në pushtet”.

Votimi nisi në lindje të Turqisë në orën 5 të mëngjesit dhe vetëm një orë më vonë në pjesën tjetër të shtetit të shtrirë mes dy kontinenteve, ndërkohë që qendrat e votimit do të mbyllen në orën 15 të mesditës. Shpallja e rezultateve nuk pritet deri në 19 të pasdites, sipas urdhrit ndalues për ta bërë këtë gjë, megjithatë bordi zgjedhor (organi drejtues i zgjedhjeve) zakonisht e heq këtë kufizim përpara orarit zyrtar.

Top Channel