Ngrihet Agjencia e Parqeve për menaxhimin e hapësirave të gjelbërta

01/11/2015 00:00

Nga rehabilitimi i pjesës së mbetur te parku mes Kuvendit dhe Presidencës, Bashkia e Tiranës paralajmëroi krijimin e hapësirave të gjelbërta dhe ambienteve për fëmijët dhe të moshuarit, në masën që nuk i ka pasur kurrë më parë Tirana.

Punimet në këtë segment konsistojnë në gjelbërim, rindërtim shatërvani, sistem rrugicash e mbjellje pemësh, si dhe ndriçim.

“Me një projekt të mirëfilltë po kalojmë nga faza e emergjencës dhe ajo e disa arnimeve, që arritëm të bënim sapo erdhëm në detyrë, në një fazë tashmë të një projekti zhvillimor të mirëfilltë, të kujdesit të mirëfilltë ndaj ambienteve të gjelbërta dhe për çdo ambient rekreativ të qytetit”, tha Blendi Gonxhe, drejtor i Agjencisë për Parqet dhe Rekreacionin.

Bashkia thotë se, parqet do të jenë në fokusin e punës së saj dhe agjencisë së ngritur posaçërisht për rehabilitimin e tyre, ku pas Vaqarrit, Farkës e Kasharit, edhe parku i Dajtit do t’i kalojë pushtetit vendor të Tiranës për adminsitrim.

Por ndërhyrjen e parë, Bashkia e Tiranës do ta bëjë në parkun e Liqenit Artificial, pas fondit të marrë prej qeverisë prej 800 mijë dollarësh.

“Investimi i parë nga 10 ndërhyrje që ne do të bëjmë në parkun e Liqenit të Tiranës i kushtohet një hapësire lojërash për fëmijë. Do të jetë ndoshta hapësira më e bukur e lojërave për fëmijë, që Tirana ka pasur ndonjëherë në 20 e kusur vitet e fundit. Nuk mund të zaptohet liqeni, sepse duhet ta shfrytëzojnë të gjithë dhe nuk mund të kthehet në një gropë septike një vend, i cili meriton të shfrytëzohet nga 200 mijë fëmijë që ka Tirana sot”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Top Channel