Angli, kapet shqiptari me pistoletë elektrike 55 000 voltëshe

01/11/2015 12:15

Një shqiptar, vetëm pak ditë pas mbërritjes në Angli, është kapur me një pistoletë elektrike (stun gun) e cila lëshonte 55,000 volt.

Mediat britanike raportojnë se Shuaip Llapri, 27 vjeç, e kishte fshehur pistoletën elektrike në një shtëpi në zonën Exmouth, ku ai jetonte sëbashku me disa të tjerë. Arma u gjet nga policia gjatë kontrollit të banesës në muajin qershor.
Francis Gilbert, gjykatës në Exeter Crown Court, e dënoi Llaprin me 6 muaj burg dhe më pas dëbim për në Shqipëri. Shuaip Llapri, pas arrestimit, i tha policisë se armën e gjeti në një park në Exmouth dhe kujtoi se ishte një çakmak elektrik.

Por gjykatësi Francis Gilbert, duke lexuar masën e dënimit, i tha shqiptarit: “Unë nuk e besoj historinë tuaj të gjetjes së armës në park, por nuk dua ta përjashtoj dyshimin e arsyeshëm për çfarë ju pretendoni”.

Pas dënimit, 27-vjeçari shqiptar do të deportohet për në Shqipëri.

Pistoletat elektrike në Angli konsiderohen armë ilegale. Të tilla armë, pasi lëshojnë rrymë elektrike, paralizojnë dhe shkaktojnë gjëndje shoku tek personi që përcillet rryma elektrike.

Pistoletat elektrike përdoren nga disa forca policore në Britaninë e Madhe.

Top Channel