Tiranë, 23 të arrestuar dhe disa të ndëshkuar nga Policia Rrugore

01/11/2015 00:00

Nga kontrollet e shtuara të Policisë Rrugore të Tiranës, të kryera këtë fundjavë në funksion të konstatimit të shkeljeve të normave të sjelljes së Kodit Rrugor, por edhe për ndëshkimin e përdoruesve të automjeteve nën efektin e pijeve alkoolike, pa leje drejtimi apo për shkelje të semaforit të kuq, janë arrestuar disa shtetas dhe ndëshkuar me dhjetëra drejtues.

Konkretisht, policia bën të ditur se janë arrestuar 11 drejtues për drejtim mjeti në gjendje të dehur; 7 drejtues pa leje drejtimi; dhe 4 të tjerë për përdorim të mjetit edhe pse iu ishte hequr leja e drejtimi.

Ndërkohë, janë marrë edhe masa administrative si pezullim lejesh drejtimi apo gjoba. Konkretisht u janë pezulluar lejet e drejtimit 25 drejtuesve, pasi po drejtonin mjetet nën efektin e alkoolit; 35 të tjerë për kalim rruge me semafor të kuq; si dhe 30 drejtues për tejkalim të normave të shpejtësisë të matur me radarë gjatë orëve të natës.

Gjithashtu është arrestuar edhe një drejtues mjeti shkollor (autoshkollë), pasi e përdorte atë me leje drejtimi të falsifikuar, si dhe 60 drejtues të tjerë autoshkollash janë ndëshkuar e do të dalin para komisioneve për transportim fëmijësh mbi kapacitetin e lejuar.

Policia e Shtetit ka bërë gjithashtu me dije se, pret çdo ankesë apo denoncim në aplikacionin Komisariati Dixhital apo në numrin 126 për çdo shqetësim që mund të kenë qytetarët.

Top Channel