Mashtrim me taksat, arrestohen 5 tregtarë karburantesh

01/11/2015 00:00

Dy pronarë të një kompanie karburantesh u arrestuan, ndërsa dy aksionerë të huaj u shpallën në kërkim, pas një hetimi të “Task Force”-s për shmangien e detyrimeve tatimore ndaj shtetit, me një vlerë prej 500 mln lekësh.

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë për 5 persona, drejtues dhe përfaqësues të kompanisë së naftës “Fullpet”, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi financiar. Dy administratorët, Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha, u arrestuan nga forcat operacionale, ndërsa një faturist i kompanisë dhe dy pronarë të huaj u shpallën në kërkim.

Nga hetimi rezulton se, vitin e shkuar, administrata tatimore konstatoi debinë e kompanisë “Fullpet” me një vlerë rreth 150 milionë lekë. Për shlyerjen e kësaj debie të vitit 2012, ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Fullpet” është nënshkruar një aktmarrëveshje, në bazë të së cilës kompania merrte përsipër shlyerjen e detyrimit me 8 këste.

Për të shlyer këtë detyrim, kompania “Fullpet” merr një kredi në një bankë të nivelit të dytë. Por, nga hetimi rezulton se kredia e marrë nuk ka shërbyer për shlyerjen e detyrimeve tatimore, por është përdorur për krijimin e kompanive të reja dhe blerjen e aseteve të kompanisë debitore, të cilën po e falimentonin.

Me anë të këtyre blerjeve, drejtuesit shqiptarë dhe ata të huaj kanë kryer tentativa të qarta dhe dyshuese – sipas Prokurorisë – për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.

Administratori i arrestuar, Aurel Preni nuk ka respektuar marrëveshjen me degën e Tatimeve, por ka pasur si qëllim të vetëm, hapjen e llogarisë bankare dhe tërheqjen e lekëve nga shitja e aseteve të shoqërisë.

Mes hetimeve rezulton edhe se, nga shitja e aseteve të kompanisë, me një vlerë prej afërsisht 100 milionë lekë, me një kontratë ndihme financiare, kompania ia ka kaluar një faturisti të saj. Kur “Fullpet” u bllokua për ushtrim aktiviteti, aksionerët hapën një tjetër shoqëri “AKF Petroleum” për të vazhduar aktivitetin e tyre.

Akuzat e ngritura mbi ta janë ato të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagim të taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”.01

Top Channel