Qeveria duhet të largohet, por qeverisja është e socialistëve

01/11/2015 00:00

Nga Zamira ÇAVO – Arena politike shqiptare është nxehur si kurrë më parë në periudhën rilindëse. Në pamjen e parë gjithçka duket një rrëmujë. Akuza e kundërakuza, të përfolur e të denoncuar publikisht, afera të shpallura dhe tenderë të mbyllur, kërcënime dhe ledhatime, blerje e shitje nderi e mandati.

Në këtë rrëmujë çoroditëse, çdo krah i politikës përpiqet të fitojë kredite në kurriz të gjendjes së mjeruar të shqiptarëve. Kësaj rrëmuje politike i paraprin me zhurmë të madhe tallavaja mediatike, aty ku interesat klanore përplasen si në politikë. Mes kësaj gjendjeje qëndron ekonomia shqiptare që duket sikur po jep shpirt pavarësisht serumeve të dhëna nga konferenca, seminare, apo raporte që vetëm përpiqen të shkaktojnë konfuzion në mendjen e shqiptarëve e që nuk japin asnjë dritë jeshile për xhepat e tyre. Është një gjendje gati ankthi shoqëror, i cili pasqyrohet çdo ditë në thashethemet e ditës, në tryezat e punës, në kafenetë e qytetit, në ministri, Kryeministri e Parlament.

Kryetari i Qeverisë dhe kryetari i Opozitës në dy daljet e tyre publike na treguan se ky vend është mbuluar nga plehrat e politikës, që quhen afera korruptive. Të dy liderët u përpoqën të justifikojnë veten e t’ia ngarkojnë fajin tjetrit. Dhe në një vend ku mungon institucioni i kryeprokurorit (mungesë de facto), cilido mund të thotë çfarëdo akuze ndaj cilitdo njeri! Kjo gjendje nuk është as më shumë e as më pak por Anarki politike. Nga kjo kuptohet qartazi se politikanët shqiptarë nuk kanë për vendin as dhembshurinë më minimale që çdo qytetar do duhej të kishte për vendin e tij. Ata duan vetëm pushtetin! Zërat për ndryshim në qeveri u fikën me “dashurinë e qetësinë” e pazareve Rama-Meta. E megjithatë zërat nga populli për “një qeverisje tjetër” po shkojnë aq larg sa po artikulohen në një kërkesë për zgjedhjet e parakohshme. Të tjerë flasin se “profecia” e Metës, për një qeverisje Meta-Rama, është e mundshme që me fillimin e vitit të ri. A ka gjë reale në këtë thashethemnajë që i bashkëlidhet situatës politike në vend? Sigurisht që ka. Është gjendja e rënduar ekonomike, arroganca e qeveritarëve, mosfunksionimi i administratës publike, paaftësia e qeverisë për të përmirësuar gjendjen e popullit, ekonomia e dështuar dhe… shpërndarja pa asnjë transparencë e fondeve publike në favore interesash klanore. Ndaj të kërkosh ndryshimin e qeverisjes në një situatë të tillë nuk është sakrilegj. Puna është se pretendimi i opozitës dhe buritë e lëshuara nga ajo, duhet të na bëjnë të mendohemi mirë. Ne harrojmë shpejt. Të pretendosh të shkosh në zgjedhje të parakohshme është vërtet një barrë e rëndë në kurrizin e kërrusur të popullit. Por edhe nëse ndodh si mund të pretendojmë se do të bëhen zgjedhje dhe do të “shpëtojmë” nga keqqeverisja? Me çfarë mendje shkojmë dhe pretendojmë që “boll të iki Rama pa më mirë bëhet”? Nuk arrijmë të kuptojmë se kjo klasë politike është me të njëjtat parametra antipopullore? Kodi zgjedhor me siguri do të sjellë një mostër të re në pushtet. Asgjë nuk lëviz pozitivisht. Opozita është gati qesharake. Është qesharake jo vetëm referuar deklaratës së z. Basha se “ne do ta rrëzojmë qeverinë në rastin më të parë” (dhe këtë deklaratë e ka bërë që ditën e pestë të “qeverisjes Rama”), as referuar deklaratës së tij se “unë nuk i jam shmangur asnjëherë përgjegjësive të mia” (kur asnjëherë nuk dha llogari as për vjedhjen skandaloze në Rrugën e Kombit, as për 21 janarin as për tenderët e përfolur as për shkatërrimin e vendit… etj.) Kjo opozitë për fatin e keq të shqiptarëve është e larë në gjak dhe korrupsion. Ndaj nuk mund të jetë kurrë e gatshme për pushtet, para se të jetë riorganizuar dhe të këtë kryer katarsisin e vet politik.

Nga ana tjetër, qeverisja “Rama” sikundër kam bindjen, vazhdon të veprojë si e djathtë radikale. Por shqiptarët janë të varfër. Shembujt e praktikave donkishoteske të kësaj qeverie me njerëz të varfër, janë të shumtë. Realisht qeverisja duhet të ndryshojë. Të ndryshojë jo vetëm përbërjen, por të ndryshojë filozofinë e saj qeverisëse. Shqiptarët votuan Partinë Socialiste me shpresën dhe bindjen se kjo parti do të përmirësonte gjendjen e tyre, se investimet publike do ta ndryshonin gjendjen në favor të mirëqenies së përgjithshme, se tenderët me paratë publike nuk do binin në duar të dyshimta dhe realiteti nuk do ishte njësoj si në periudhën e rrumpallës berishiste. Por shqiptarët ndihen të gënjyer. Madje ndihen të tradhtuar kur dëgjojnë edhe Kryeministrin që thotë se: “Do të largohem para se populli të jetë mërzitur me mua”. Ky është një cinizëm i pastër.

Realisht vendi ka nevojë për një qeverisje të majtë reale. Ka nevojë për politika publike të shëndetshme. Jemi të varfër dhe nuk mundet dot të bëjmë me shëndetësi më shumë private se publike, me arsim më shumë privat se sa publik, me drejtësi të cunguar, me siguri të pasigurt. Rama, sigurisht edhe Meta që gjatë qeverisjes Berisha, kanë dëshmuar se nuk e kanë filozofi të qeverisjes së tyre res publikën. Ata punojnë për res privaten! Në këto kushte, problemi fokusohet te Partia Socialiste. A do të gjejë ajo energji të veprojë me synimin e mbajtjes së pushtetit dhe ndryshimit të filozofisë qeverisëse në favor të popullit? A do të pranojë ajo të votojë sërish një detashment të korruptuarish për një qeverisje që do të mbajë emrin e saj? Unë them se partia socialiste ka pasur dhe ka kapacitete intelektuale si asnjë parti tjetër. Mundësitë e saj për të mirëqeverisur nuk besoj se kanë shteruar. Por ka shteruar energjia e saj pozitive. Partia Socialiste duhet të rikthejë sa më parë demokracinë e saj të vërtetë. Duhet t’i kthehet kohës së dëgjimit të zërit të socialistit të thjeshtë. Në kushtet që ndodhet vendi, socialistët duhet ta vlerësojnë si mision historik një qeverisje të mirë të vendit. Nëse nuk do të arrijnë ta bëjnë dot, historia do t’i ndëshkojë me harresë. Nëse e them këtë, e bëj me bindje se ende nuk është përgatitur një elitë e re politike, e cila do të merrte në dorë pushtetin me një ideal e qëllim të pastër, ndryshe nga çka ndodhur në këto 25 vjet!

Top Channel