F1, Raikkonen: Karrierën e mbyll te Ferrari

01/11/2015 00:00

Kimi Raikkonen do ta mbyllë karrierën e tij në Formula 1 te Ferrari. Piloti finlandez e ka bërë një deklaratë të tillë në një intervistë në faqen zyrtare të Formula 1.

“Kur u largova herën e parë nga Formula 1 thashë ose Ferrari, ose asnjë tjetër, tani po e përsëris, Ferrari do të jetë skuadra ime e fundit në këtë Botëror, por asnjëherë nuk dihet se çfarë do të ndodhë pasi jeta është e paparashikueshme”, u shpreh ai.

Raikkonen foli edhe për sezonin që po përjeton këtë vit te “kokëkuqja” italiane, ndërkohë që theksoi se nuk e përjashton mundësinë që të qëndrojë në Formula 1 edhe pas vitit 2016.

“Jam pak i zhgënjyer sepse në disa raste gjërat nuk kanë shkuar mirë gjatë këtij sezoni, por jemi në drejtimin e duhur dhe rezultatet në përgjithësi janë pozitive. Ajo çfarë kam arritur unë nuk është më idealja, por jam i sigurt se do të zgjidhim problemet tona brenda vitit të ardhshëm. Përsa i përket qëndrimit tim në Formula 1 edhe pas 2016, nuk e përjashtoj si mundësi. Është ende herët për të folur, por mua më pëlqen të jem këtillë dhe do të më pëlqejë akoma më shumë kur të arrijmë rezultate akoma më të mira”, deklaroi Raikkonen.

Top Channel