Zgjedhjet në Turqi, AKP e Erdogan fiton shumicën

01/11/2015 00:00

Partia qeverisëse turke AKP duket se do të marrë shumicën në zgjedhjet parlamentare, të paktën sipas rezultateve paraprake. Me thuajse të gjitha votat e numëruara, partia e presidentin Erdogan ka grumbulluar 49,6% të mbështetjes popullore, ndërsa partia kryesore opozitare CHP ka marrë vetëm 25,1%.

Sipas mediave turke, partia pro kurde DHp dhe nacionalistët e MHp do të kalojnë pragun elektoral prej 10% dhe do të jenë pjesë e parlamentit.

Përpjekjet për të krijuar një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të qershorit dështuan, prandaj Turqia ju drejtua një raundi të ri zgjedhor. Por tashmë duket se pas dështimit në qershor, partia AKP do ta formojë e vetme qeverinë.

Mediat turke thonë se duhen numëruar ende rezultatet në disa qytete të mëdha, por shifrat aktuale tregojnë se AKP do të marrë mbi 276 vende në parlament, shifra e nevojshme për shumicën.

Megjithatë, bazuar në këto shifra, AKP nuk do të ketë fuqinë për të organizuar një referendum për ndryshimin e kushtetutës me qëllim rritjen fuqive të presidentit dhe themeluesit të AKP, Erdoan.

Në fushatën elektorale që parapriu zgjedhjet, Turiqa pësoi disa sulme terroriste që rritën shumë tensionin në vend.

Kritikë të Erdogan thanë se ishte pikërisht qeveria që kishte nxitur dhunën për të ulur mbështetjen për partitë pro kurde, të cilat u akuzuan se mbështesin shtetin islamik.

Agjecia e lajmeve “Reuters” bëri me dije se zyrtarë të partisë kurde HDP thanë se rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve ishin zhgënjyese.

Mediat gjithashtu raportojnë se në qytetin me shumicë kurde Diarbakir pati përleshje mes policisë dhe protestuesve ndërsa votat numëroheshin.

Top Channel