Fuqitë aziatike, zbusin tensionet mes tyre

01/11/2015 18:20

Liderët e Japonisë, Kinës dhe Koresë së Jugut thonë se kanë ristrukturuar plotësisht tregtinë dhe lidhjet e sigurisë, në takimin e parë të tyre në tre vitet e fundit.

Ata nënvizuan në një deklaratë të përbashkët se kishin rënë dakord për rifillimin e takimeve të rregullta trepalëshe që janë pezulluar që prej vitit 2012. Po ashtu, ata nënvizojnë se kanë rënë dakord për më shumë bashkëpunim ekonomik.

Bisedimet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ishin një përpjekje për të zbutur acarimet e nxitura mbi të gjitha nga mosmarrëveshjet territoriale dhe mospajtimet historike.

Kina dhe Koreja e Jugut thonë se Japonia nuk ka bërë aq sa duhet për të siguruar ndjesën pas brutalitetit të trupave të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai që ka më shumë rëndësi, nënvizojnë ekspertët, është fakti që bisedimet kanë ndodhur. Bisedimet kanë qenë të rregullta deri tre vjet e gjysmë më parë, kur u anuluan pas thellimit të pakënaqësive me Japoninë.

“Ne ndamë mendimin se bashkëpunimi trepalësh është rikthyer plotësisht. Është rënë dakord që të punohet së bashku për të përmbyllur partnershipin ekonomik rajonal gjithpërfshirës, një zonë e tregtisë së lirë e mbështetur nga Pekini”, thuhej në deklaratën e përbashkët të Presidentës koreano-jugore Park Geun-Hye, kryeministrit kinez Li Keqiang dhe ai japonez Shinzo Abe në deklaratë.

Por, ndërsa Koreja e Jugut dhe Japonia janë të prirura të mbeten me sytë nga aleanca me SHBA-të, ato kanë nevojë për të bashkëpunuar ekonomikisht me Pekinin.

Top Channel