Pitella: Misioni në Ballkan, për refugjatët dhe integrimin

01/11/2015 19:20

Presidenti i së majtës në Parlamentin Europian, Gianni Pittella do të mbërrijë të hënën në Shqipëri për një vizitë disa ditore, ndërsa më pas do të vijojë turin nëpër Ballkan së bashku me raportuesin Fleckenstein.

Para kësaj vizite ai foli për Top Channel duke bërë të ditura arsyet e kësaj vizite në vendin tonë.  

TCH: Zoti Pittella, më 2 Nëntor, ju do të zhvilloni një vizitë disa ditore në Shqipëri, ku do t’ju bashkohet dhe raportuesi Fleckenstein, për të vijuar më pas turin ballkanik në Maqedoni e Serbi. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Gianni Pittella: Ne bëjmë një mision në Ballkan që përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë nis me Shqipërinë e vijon pastaj Maqedoninë e Serbinë. Në pjesën e dytë do të shkojmë në vendet e tjera të Ballkanit. Ka dy mesazhe themelore. Së pari, ne duam që vendet e Ballkanit të bëjnë progres për të qenë të gatshëm  për t’u futur në Bashkimin Europian gjatë 2019, sepse ne jemi në favor të anëtarësimit të Ballkanit në BE me kushtin që këto vende të jenë në përputhje me kriteret e parashikuara për anëtarësimin në Union. Mesazhi i dytë është të përballojmë së bashku, në mënyrë solidare dhe të sigurt për qytetarët tanë, pritjen dhe menaxhimin për temën e emigracionit.

TCH: Meqenëse ju e përmendët emigracionin, ndërkohë që Kryeministri Rama ishte në mini-samitin europian të korridorit ballkanik, a keni sinjale për mundësinë e devijimit të rrugës së refugjatëve nga Greqia drejt Italisë, përmes Shqipërisë?

Gianni Pittella: Nuk e di. Kjo është e mundur, por nuk është se shkruhet gjëkundi. Nuk ka ndonjë ligj për t’ju thënë shkoni nga Shqipëria. Nëse ata kalojnë, do e vendosin vetë për të kaluar nga Shqipëria. Por nuk mendoj se kjo  është një dramë, një tragjedi. Sikur të ishin vetëm këto tragjeditë! Ka tragjedi më të mëdha. Ky nuk është një problem katastrofik, është një problem që duhet përballuar me një program e kapacitete qeverie mbi fenomenin. Përse duhet t’i konsiderojmë refugjatët si njerëz anormal, të rrezikshëm, sikur të kenë tifo e sëmundje të tjera. Këta janë njerëz si ne, që arratisen nga një luftë, dhe nëse kalojnë nga Shqipëria, apo Maqedonia, Serbia, për në Slloveni, apo dhe nëse vijnë në Itali, ne duhet të presim njerëz që i ikin një lufte dhe kanë të drejtën për një pritjeje dinjitoze dhe të respektueshme me të drejtat e njeriut.  

TCH: Dhe cilat janë shqetësimet tuaja kryesore për Shqipërinë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit?

Gianni Pittella: Shqipëria po bën një progres të konsiderueshëm, falë drejtimit inteligjent të Edi Ramës e qeverisë së tij, falë kontributit të rëndësishëm të personaliteteve politike si Ilir Meta. Shqipëria po ndjek një ecuri të mirë, të tillë, që e bënë të konsiderohet zyrtarisht vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria është gati që sot, por është një nga ato vende që po realizon me më shumë   shpejtësi  qëllimet e kërkuara nga BE në mënyrë që të mund të hyjë në Union, falë Edi Ramës dhe të tjerëve që operojnë. Dua t’i bëj një thirrje dhe opozitës sepse interesi për të hyrë në BE nuk i përket vetëm  atyre që janë sot në qeveri, por edhe atyre që janë në opozitë. Është në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky është i njëjti apel që bëra pak vite më parë kur Edi Rama ishte në opozitë. I thashë kolegëve të mi  të partisë (S&D) që duhet të punojmë së bashku që Shqipëria të futet në BE, sepse nuk ka ngjyra politike, por vetëm një objektiv: përmirësimi i Shqipërisë për të mirën e qytetarëve shqiptarë, por edhe për hyrjen e saj ne BE.  

Gianni Pittella: Por, a keni biseduar me kolegët e PPE-së, të cilët ndajnë shqetësimet e opozitës sidomos për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, për të  afruar qëndrimet e palëve?

Gianni Pittella: Unë flas gjithmonë jo vetëm me kolegët e partisë popullore europiane, por edhe të gjelbrit, liberalët e grupe të tjera dhe të gjithë së bashku jemi favorizues për të dhënë një dorë. Europa do që të japë një dorë. Por Europa nuk është kumbara, apo gjykatësi që të bie nëse nuk voton apo kur diçka shkon keq. Sigurisht që ka probleme mbi administratën e duhur publike,forcimin e mëtejshëm të luftës ndaj korrupsionit dhe krijimin e një strukture moderne shtetërore. Por këto probleme po zgjidhen gradualisht dhe Shqipëria është një vend në zhvillim, ka rritje ekonomike dhe situatë sociale më në kohezion se disa vite më parë.  

TCH: Zoti Pittella, ju e iniciuat dhe e mbështetët marrëveshjen, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013tës, mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për ju, si po funksionon ky koalicion sot, pas dy vitesh bashkë-qeverisje.

Gianni Pittella: Unë jam shumë i lumtur të jem një nga protagonistët e kësaj marrëveshje. Besoj se kjo garantoi kthimin në pushtet dhe fitoren e socialistëve, dhe është përbërja e një qeverie,e një mazhorance, që po jep efekte pozitive për Shqipërinë. Është e qartë se në një koalicion, në një marrëveshje, ka gjithmonë momente të vështira. Hall është po të mos kishte. Nëse unë dhe ti flasim për dy vjet dhe nuk kemi as edhe një pikë të vetme, ku ka divergjenca, unë do të shqetësohesha. Prandaj, në një raport politik, ashtu si në një raport njerëzor, ka gjithmonë momente divergjencash. Por, kjo nuk do të thotë se koalicioni nuk është solid. Marrëveshja është solide dhe duhet të mbetet e fortë për të mirën e qeverisë dhe qeverisjes së kombit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel