Sulm në Somali, Al Shabab godet kryeqytetin

01/11/2015 00:00

Militantët e organizatës terroriste Al Shabab sulmuan një hotel në kryeqytetin somalez, Mogadishu duke vrarë 15 persona.

Agresorë të armatosur përdorën dy autobomba për të hapur rrugën drejt hotelit “Sahafi”, para se të sulmonin ndërtesën. Mes viktimave është një deputet dhe një gjeneral i ushtrisë që udhëhoqi ofensivën e vitit 2011 me anë të së cilës Al Shabab u dëbua nga Mogadishu.

Trupat e Unionit Afrikan dhe forcat qeveritare bënë me dije se mundën që të rimarrin kontrollin e hotelit pas një beteje të ashpër me militantët. Sulmi u mor përsipër nga organizata Al Shabab, e cila tha se e kreu atë në mëngjes për të shmangur viktimat civile.

Hoteli në fjalë ishte një pikë takimi e njohur e politikanëeve apo firgurave të tjera të larta të qeverisë somaleze. Sipas “BBC”, ky është një ndryshim i qartë i strategjisë së Al Shabab, pasi në sulmet e saj shumica e viktimave kanë qenë gjithnjë civilë të pafajshëm.

Sulmi në hotel bëhet vetëm një ditë pas përleshjeve të ashpra mes xhihadistëve dhe trupave të Unionit Afrikan në zonën Bakol, në afërsi të kufirit me Etiopinë. Unioni Afrikan është angazhuar prej kohësh në luftën kundër Al Shabab për të ndihmuar qeverinë somaleze.

Top Channel