Festivali “Maria Kraja”

01/11/2015 00:00

Festivali Ndërkombëtar operistik “Maria Kraja” mbylli mbrëmë edicionin e tij të 15, duke shënuar një tjetër sukses.

Ky superproduksion solli përgjatë dy netëve muzikën më të mirë botërore. Në natën finale, nën moderimin e producentes Zana Çela, 8 këngëtarë finalistë për garën e arieve u ngjitën në skenë, duke dhuruar një mbrëmje magjike për të gjithë të pranishmit që kishin mbushur sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Juria ndërkombëtare e përbërë këtë vit nga personalitetet më të njohura të muzikës operistike botërore, e kryesuar nga Stephen Langridge, drejtori i Operas së Goteborgut, shpalli fituesin e 15 të edicionit këngëtaren e talentuar nga Shqipëria, Enkeleda Kamani, në vendin e dytë u rendit Elisabet Bayley nga Anglia. Ndërsa çmimi i tretë shkoi për dy konkurrentë Anna Stylianaki nga Greqia dhe Federica Vitali nga Italia.

Ndërkohë për garën e këngës, të cilin e zgjedh orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, fitues doli tenori spanjoll Hector Garcia.

Në dy net ky festival solli në Tiranë jo vetëm ariet margaritare dhe këngët më të famshme të repertorit botëror, por edhe yjet e rinj të skenës operistike. Për dy net edicioni i 15 i këtij festivali bëri publikun shqiptar të shijonte magjinë e muzikës më të mirë botërore, duke mbushur sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Top Channel