Bind Milan, 3 gola Lazios në “Olimpico”

01/11/2015 22:40

Milan ka arritur fitoren e tretë radhazi pasi mposhti në transfertë Lazion. Kuqezinjtë kishin gjithçka nën kontroll, duke dominuar tërësisht në “Olimpico”.

Në minutën e 25, pas një gjuajtje të Cercit, Marchetti nuk arrin të largojë si duhet topin, duke bërë që Bertolacci të shfrytëzojë këtë gabim të tij dhe të shënojë për 1-0.

Në pjesën e dytë, kur luhej minuta e 53, sërish një gafë e portierit Marchetti bën që Milan të dyfishojë epërsinë në 2-0.

Kësaj radhe, pas një krosimi nga goditja e dënimit të Bonaventurës, Mexes shfrytëzon një dalje të gabuar të gardianit të lacialëve për të hyrë në listën e golashënusve.

Ndërkohë, 11 minuta para përfundimit të sfidës, Carlos Bacca realizon golin e tretë. Pasi shmang shumë bukur dy mbrojtës, kolumbiani kalon edhe portierin për të shënuar në golin bosh.

E gjitha çfarë bëri Lazio në këtë takim ishte goli i nderit, që erdhi në minutën e 85, kur Kishna, që hyri në lojë në të 65-n, arriti të mposht Donnarumman.

Me këtë fitore, Milan arrin në kuotën e 19 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 6 të klasifikimit të Serie A, me pikë të barabarta sa Sassuolo e vendit të 5.

Top Channel