NBA, Lakers dhe Rockets nuk njohin fitoren

02/11/2015 11:20

Miami Heat shton problemet e Houston Rockets. Skuadra nga Florida arriti të fitojë këtë përballje me rezultatin 109-89, duke bërë që skuadra teksane të regjistrojë humbjen e tretë radhazi.

Houston kishte 3 mungesa të rëndësishme në këtë përballje, që gjithsesi e nisi mjaft mirë. Rockets mori avantazhin prej 8 pikësh, por Miami e ngushtoi diferencën me Houston në vetëm 1 pikë në fundin e periodës së parë. Në periodën e dytë u pa një Miami në krizë, ndërsa Houston thelloi diferencën në +19 pikë. Situata u përmbys në periodën e tretë, me Miamin që shënoi 31 pikë kundrejt 12 të Houston. Në periodën e katërt, Miami mori për herë të parë kryesimin në 85-83 dhe që nga ai moment skuadra nga Florida nuk u ndal më dhe regjistroi fitoren e dytë të saj.

Edhe Los Angeles Lakers nuk po e shijon ende fitoren e parë në NBA. Këtë radhë skuadra kaliforniane u mund nga Dallas Mavericks në “Staples Center” me rezultatin 93-103, duke shënuar humbjen e tretë në po kaq ndeshje. Në 5 minutat e para në parket ishte vetëm një skuadër, Dallas, që shënoi 15 pikë radhazi, ndërkohë që Lakers ishte ende në shifrën 0.

Skuadra kaliforniane u zgjua në pjesën tjetër të këtij 12 minutëshi falë Randle, i cili me fizikun e tij i shkaktoi shumë probleme mbrojtjes teksane, duke shënuar 8 pikë e rrëmbyer 8 topa në tabelë, për të rifutur skuadrën e tij në lojë. Në periodën e dytë, Dallas kërkoi që të marrë arratinë, por sërish Randle nuk e lejoi një gjë të tillë. Gjithsesi, Dallas nuk kishte ndërmend të lëshonte pe dhe falë Novitzkit dhe Pachuliasit dominoi ndeshjen.

Top Channel