Rama: Çerfitikatë për biznesin e rregullt. Denonconi abuzimet

02/11/2015 11:35

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimeve të biznesit të vogël lidhur me kontrollet e shpeshta tatimore dhe rrezikun që aksioni kundër informalitetit të zbatohet, siç u shpreh ai, si një operacion ndëshkimi ndaj sipërmarrjes.

“Po përgatisim një masë tjetër, që çdo biznes i vogël që është i regjistruar dhe ka kasë të vendosë një çertifikatë “biznes i rregullt”. Kjo do të ndajë të rregulltit nga të parregulltit dhe tatimorët do të merren me të parregulltit dhe jo të vijnë herë pas here”, deklaroi Rama.

Kryeministri i kërkoi biznesit të denoncojë rastet e abuzimeve të punonjësve të administratës tatimore, por në anën tjetër tha se qeveria është e vendosur të luftojë deri në fund atë që ai e quajti “skllavëri moderne”.

“Nëse sot kemi 128 mijë njerëz të regjistruar në 45 ditë, që është sa një bashki e madhe, mendoni ju se gjoba nuk ka rëndësinë e vetë? Nuk e mban atë punonjësin të paregjistruar me 250 mijë lekë se llogaria të del mbrapsht. Po e kapën, gjobë 5 mln”, theksoi Rama.

Qeveria do të heqë taksën prej 25 mijë lekësh të reja për shitësit ambulantë, ata që shesin në tregjet e lagjeve dhe ata që jetojnë me zeje duke stimuluar kështu zanatet qe cojne ne vetepunesimin e familjareve dhe nxisin shkollat profesionale. 

Top Channel