PD, Shehu: KLSH konfirmoi vjedhjet e Edi Ramës

02/11/2015 13:35

Partia Demokratike ka deklaruar këtë të hënë se, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht “zullumet e qeverisë” të denoncuara vazhdimisht prej saj.

“Sipas raportit të KLSH, gjatë vitit 2014, Edi Rama dhe Ilir Meta u kanë vjedhur shqiptarëve 109 miliardë lekë, ose 777 milionë euro. Ky raport konfirmon se afera e CEZ nuk është shpikje e Partisë Demokratike por një pazar i filluar nga Meta dhe ministrat e tij dhe i mbarur nga Edi Rama”, ka deklaruar deputeti Sherefedin Shehu.

Sipas tij, “KLSH provon në analizën e kësaj afere se vetëm nga klauzolat e marrëveshjes së mirëkuptimit midis Ramës dhe CEZ ka një vjedhje prej 479 milionë euro, pa përfshirë detyrimet dhe përfitimet e tjera të CEZ që lidhen me këtë marrëveshje”.

“Në buxhetin e vitit 2014 shihet se si Rama, pas 9 vitesh, për herë të parë nuk rriti pagat dhe pensionet. Në vend të rritjes së pagave, paratë e qytetarëve u përdorën për të mbushur xhepat e Ramës dhe klientëve të qeverisë”, ka vijuar Shehu.

Deputeti demokrat ka akuzuar kryeministrin Rama se, “nuk respektoi disiplinën e kuadrit afatmesëm makroekonomik, por bëri një buxhet ku të ardhurat ishin 12.3 miliardë lekë më të ulëta se kuadri fiskal afatmesëm dhe shpenzimet dhe borxhi ishin 44 miliardë dhe 56 miliardë më të lartë”.

Ai ka shtuar se, në vitin 2014 taksat u dyfishuan, ndërsa të ardhurat tatimore ishin më të vogla se efekti i rritjes së taksave. “Pra, Rama nuk solli në arkën e shtetit asnjë lek nga rritja ekonomike e pretenduar apo përmirësimi i administrimit të taksave”, ka thënë Shehu.

Top Channel