Basha: Rama kopjoi modelin tonë për biznesin e vogël

02/11/2015 14:20

Partia Demokratike nuk e ka lënë të qetë kryeministrin Edi Rama, pasi ai propozoi si zgjidhje për sjelljen e tatimorëve me biznesin pajisjen me një certifikatë fiskale.

Tri javë më parë, Lulzim Basha e prezantoi këtë masë si pjesë të programit të opozitës për të eliminuar kontrollet abuzive të tatimorëve. Tani, Basha sheh vetëm një arsye te ky vendim i qeverisë, që sërish e quan gjysmak dhe që nuk i jep zgjidhje përfundimtare problemit me biznesin e vogël.

“Tani që mandati i saj ka hyrë në fazën e kompromentimit dhe degjenerimit të përshpejtuar, i shtrënguar në darën e skandaleve, gafave, injorancës dhe arrogancës së tij, Edi Rama po përpiqet të marrë pak frymë duke kopjuar, si një nxënës i keq, opozitën. Por nuk kalohet klasa me kopje. Unë deklaroj sot se, kapja apo kacavjerrja pas një elementi të veçantë të paketës së ringritjes dhe dinjitetit të sipërmarrjes, siç është pulla fiskale, duke injoruar elementët e tjerë, është tregues i qëndrimit prej të mbyturi, i politikave demagogjike dhe improvizuese që nuk të çojnë askund, që nuk e nxjerrin ekonominë nga gremina”, tha kreu i opozitës, Basha.

Duke vënë në dyshim besueshmërinë e kryeministrit, Lulzim Basha i kërkoi Edi Ramës veprim të menjëhershëm për zbatimin e masës lehtësuese për biznesin e vogël.

“Edhe më i rëndësishëm është zbatimi konkret dhe pa humbur kohë i propozimit për pullën fiskale, apo për certifikatën, siç e quajti kopjaci për të mos u dukur kopjac. Sepse e dimë të gjithë: ky kryeministër ka zakonin e keq, që bën atë që nuk thotë dhe thotë atë që nuk bën; premton atë që do të braktisë dhe ‘mban’ fjalën e padhënë e të pathënë; i intereson vetëm propaganda, i intereson vetëm të shtyjë ditët”, shtoi më tej kryetari i demokratëve, Basha.

Lulzim Basha shkoi më larg, me arsyetimin e tij se çfarë do të thotë politikisht për Edi Ramën, pranimi i një pike të paketës fiskale të opozitës.

“Jo vetëm biznesi, por me këtë akt, tashmë edhe kryeministri ka pranuar dështimin e tij, rrëzimin e tij, mungesën e vizionit, të vullnetit, padrejtësinë dhe arbitraritetin e tij. Ka pranuar se ai është problemi dhe ka pranuar se propozimet e bëra nga ne, nga  Partia Demokratike, nga unë, janë zgjidhja dhe rruga e daljes nga kjo krizë”, përfundoi deklaratën e tij Lulzim Basha.

Top Channel