Reagojnë studentët: Jo politikë në shkollë

02/11/2015 15:00

Ndërsa të ndaluarit ndodheshin në mjediset e drejtorisë së policisë, kolegë të tyre jashtë saj kërkonin lirimin e tyre. Ata pohuan se reagimi është një e drejtë e tyre për të protestuar, duke theksuar se kundërshotjnë përdorimin e fakultetit si mjedis për të bërë politikë, sikurse bëri kryeministri Rama.

“Në momentin që ai doli iu drejtuam me thirrje për arsim publik falas, dhe indinjatë për reformën në arsimin e lartë. Më pas është qëlluar me vezë drejt kryeministrit dhe atëherë janë sulur badigardë, civilë, policia ka ardhur me shpejtësi rrufeje. Aktivistët janë tërhequr zvarrë, prej flokësh. Janë tetë veta, janë studentë të Universitetit të Tiranës, dhe tre aktivistë të klubit politik të Prishtinës”,thotë një studente.

“Po kërkojmë avokatë që mund të ndihmojnë shoqet dhe shokët tanë brenda mjediseve të policisë. Kemi të dhëna që ata janë keqtrajtuar. Nuk kam parë dhe dëgjuar se si munden të arrestohen njerëz që shprehin kundërshtinë e tyre, dhe në rastin më të keq kanë goditur me vezë makinën e kryeministrit, i është bërë pis makina luksoze kryeministrit. Por një kryeministër që ka bërë një reformë si ajo që është miratuar para dy muajsh në Parlament nuk mund të bëjë vetëm aktivitete private dhe propagandistike. Aktivistët e lëvizjes për universitetin kanë qënë aty për ti protestuar në fytyrë që ai dhe qeveria e tij janë të padëshirueshëm, ku pra? Në vendin e keqbërjes së tyre”, tha një tjetër përfaqësues i studentëve.

Top Channel