PS, takime me bazën. Rama: Të shpjegojmë ç’kemi bërë e ç’do bëjmë

02/11/2015 15:25

Kryeministri Edi Rama drejtoi këtë të hënë mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist nga ku njoftoi iniciativën më të re të qeverisë.

Top-Channel, nga një burim brenda grupit socialist ka mësruar se Rama ka deklaruar: “Këtë javë do të nisë një konunikim me publikun për të folur, nga njëra anë për gjërat që kemi bërë dhe në anën tjetër për projektet dhe reformat që kemi nisur apo kemi në plan për të nisur”.

Pjesë e mbledhjes ishin edhe çështjet e riorganizimit të brendshëm të PS. Rama ka kërkuar komunikim politik me të gjitha strukturat në të gjitha zonat dhe asambletë, për të mbështetur procesin e riorganizimit, zgjerimit dhe anëtarësimeve të reja.

Kryesocialisti është shprehur kritik për disa deputëtë të cilëve nuk ia përmendi emrin, por tha se, “disa deputetë të caktuar nuk janë aq aktivë sa kërkohet të jenë”. “Ky proces i nisur s’mund të zvarritet apo të ngecë në asnjë zonë”, citohet të ketë deklaruar Rama.

E që kjo të arrihet ashtu siç është lenë detyrë nga asambleja, Rama është shprehur se, “duhet t’i japim një shtysë të re të gjithë bashkarisht”.

Në fund të fjalës së tij Rama u tha të tijve se, “që nga e enjtja nis komunikimi me struturat në të gjithë territorin, që do të vazhdojë deri në fund të dhjetorit”.

Duke dalë nga selia e PS, Rama u pyet nga gazetarët për incidentin e disa orëve më parë kur ai u godit me vezë nga një grup studentësh, por nuk dha asnjë përgjigje nëse të ndaluarit nga policia do të liroheshin.

Për më shumë se 10 minuta, Rama, në daljen e selisë rozë, ka bashkëbiseduar me disa qytetarë të cilët i kanë shprehur shqetësimet e tyre.

Pjesë e mbledhjes së grupit socialist ishte edhe deputeti më i ri Kuvendit, Eduard Ndocaj, i cili nuk dha asnjë prononcim për këtë pjesëmarrje të parë si pjesë e grupit parlamentar të majtë.

Top Channel