KLSH, Leskaj: Hetim parlamentar administrimit të CEZ-it

02/11/2015 15:40

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj i kërkoi Parlamentit të ngrejë një komision të posaçëm për të hetuar administrimin e CEZ gjatë kohës që ishte nën pronësi të çekëve.

“Kërkojmë ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur, me ekspertë dhe teknikë që do të vlerësonin me detaje dëmin nën drejtimin e çekëve dhe do përcaktonin mundësinë për një rimëkëmbje të operatorit të shpërndarjes duke përcaktuar përgjegjësitë institucionale dhe individuale që çuan në këtë situatë”, deklaroi Leskaj.

Bujar Leskaj përsëriti në komisionin e ekonomisë se marrëveshja e qeverisë me CEZ i shkaktoi qytetarëve një dëm prej 479 milionë euro. Sipas tij, për të mbrojtur këtë përfundim, ai do të paraqesë dhe argumentat më të hollësishëm, por kur Kuvendi të aprovojë kërkesën për ta dëgjuar.

“Në marrëveshjen për zgjidhje me mirëkuptim janë parashikuar e dakordësuar edhe çështje të tjera, përmes të cilave verifikohet qartë favorizimi i interesave të CEZ, në shpërfillje të interesave të shtetit shqiptar. Por për këtë, bazuar në shkresën dërguar Kuvendit, presim të flasim në Kuvendin e Shqipërisë”, nënvizoi Leskaj.

Bashkë me kreun e KLSH-së, në komisionin e ekonomisë ishte dhe ministri i Financave për të paraqitur buxhetin faktik të vitit të kaluar. Sipas tij, në 2014-n buxheti shënoi rritje rekord të të ardhurave.

“Të ardhurat, të konsoliduara në 12-mujorin 2014, arritën në 366.7 mld lekë, me një rritje vjetore prej 12.1 për qind krahasuar me fundvitin e 2013-s. Të ardhurat tatimore arritën 24.2 për qind të GDP, vlera më e lartë e arritur ndër vite, përjashto vitin 2008”, deklaroi Cani.

Por opozita tha se arsyeja kryesore e rritjes së të ardhurave ishte rëndimi i taksave, që sipas saj po fundosin ekonominë.

“Ishte rritja e një sërë akcizash e taksash të tjera për qytetarët, me një faturë të deklaruar nga vetë qeveria prej 240 milionë dollarësh si rritje. Kjo, në një vit kur ekonomia vijonte të kishte probleme të mëdha që vinin nga rrethanat rajonale, mendoj se përbën aktin më të papërgjegjshëm që mund të jetë shkaktuar për ekonominë sot dhe ekonominë nesër”, deklaroi deputeti i PD, Ridvan Bode.

Buxheti i vitit të kaluar u mbyll me një nivel shpenzimesh prej rreth 438.9 miliardë lekë, ndërsa defiçiti vlerësohet në 5.8 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Top Channel