Mbërrijnë në Rusi një pjesë e viktimave të tragjedisë ajrore mbi Sinai

02/11/2015 00:00

Trupat e 144 prej viktimave të aksidentit ajror të së shtunës, në gadishullin e Sinait, mbërritën mëngjesin e kësaj të hëne në Shën Pjetërburg, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij episodi të rrethuar me mister.

Pas shumë hipotezash dhe pretendimit të papërligjur të ISIS-it, se avionin e rrëzuan militantët e tij, i vetmi shpjegim zyrtar që jepet deri tani për fatkeqësinë është ai i kreut të agjencisë ruse të transportit ajror, Aleksandr Neradko, i cili thotë se “Airbusi A321” me 224 persona në bord u shpërbë në ajër.

25 prej 217 pasagjerëve të avionit të kompanisë “Kogalymavia” ishin fëmijë. Turma të mëdha njerëzish u mblodhën në Shën Pjetërburg dhe në kryeqytetin Moskë, për t’u bërë viktimave nderimet e fundit.

Avioni u rrëzua orët e para të së shtunës, më pak se gjysmë ore pasi ishte ngritur në fluturim nga resorti i Sharm el Sheikut. Përveç 4 ukrainasve dhe një bjellorusi, të gjithë personat e tjerë në bord ishin shtetas rusë.

163 trupa janë rikuperuar gjithsej deri tani, ndërsa kërkimet për të tjerët vazhdojnë. Sa për kutitë e zeza të avionit, ato u gjetën që në fillim e po analizohen nga ekspertët. Me përpjekjet për të përcaktuar shkakun e tragjedisë janë bashkuar, veç Egjiptit, edhe disa shtete të tjera.

Xhihadistët e lidhur me Shtetin Islamik, që veprojnë në gadishullin e Sinait, nxituan të deklarojnë në mediat sociale se ishin ata, që e rrëzuan fluturimin “KGL9268”. Por ekspertët e sigurisë e konsiderojnë të pamundur goditjen e avionit në 9450 metra, nga armët që dihet se zotërojnë militantët në atë zonë.

Po kështu, kontrollet e sigurisë përpara fluturimit nuk treguan ndonjë problem. Pilotët gjithashtu nuk kërkuan ndihmë përpara se avioni të zhdukej nga radarët. Edhe videoja e publikuar dy ditë më parë, që tregonte një avion që rrëzohej, nuk duket të jetë – sipas tyre, – një filmim formal i Shtetit Islamik e as nuk është shpërndarë në kanalet e tij të propagandës, e së fundi, edhe vetë linja ajrore ruse doli me deklaratën se faji mbi ngjarjen rëndon te faktorët e jashtëm.

Moska zyrtare pohoi ndërkohë se do të kompensohen të gjithë familjarët e viktimave e do të ndihmojë në organizimin e funeraleve.

Top Channel