“Big Brother”-i do t’iu vëzhgojë të gjithëve

02/11/2015 00:00

Ashtu si Londra, qyteti më i vëzhguar në botë, Shqipëria do të ketë së shpejti kamera vëzhguese në të gjitha zonat e banuara, edhe ato më problematiket. Projektligji i hartuar nga Ministria e Brendshme, pritet t’i kalojë për diskutim Kuvendit dhe organeve të tjera të interesuara.

Por cilat janë pikat kryesore të tij?

Miratimi i ligji do të detyrojë bizneset, që kanë të ardhura mbi 10 milionë lekë në vit, të vendosin kamera në ambientet e punës. Taksitë, autobusët, lokalet që kanë mbi 50 klientë në ditë, institucionet publike, kopshtet apo shkollat do i nënshtrohen vendosjes së kamerave.

Projekligji thotë se, nuk përjashtohet mundësia që kamera të ketë në çdo pallat apo park lojërash.

Neni 8 i draftit saktëson se, kamerat e sigurisë në pallate do të jenë nën varësinë e administratorëve të pallatit, të cilët në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të japin të gjithë informacionet e vlefshme për të përcaktuar zonat më të rrezikshme.

Neni 14 thotë gjithashtu se, të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat janë të detyruara me ligj t’i jepen policisë, sa herë që ajo do t’i kërkojë, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Bizneset do të kenë 6 muaj kohë nga miratimi i ligjit, për të vendosur kamerat. Më pas do të nisin gjobat e parashikuara në ligj. Një pikë e rëndësishme është administrimi i të dhënave, ku thuhet se, çdo video e marrë bëhet në përputhje me legjislacionin.

Vendosja e kamerave në zona të caktura vlerësohet nga vetë Policia, duke bërë të mundur që të rritet zbulueshmëria e veprave penale për të parandaluar shkelësit e ligjit.

Top Channel