Vëzhguesit kontestojnë zgjedhjet; Erdogan sulmon mediat e huaja

02/11/2015 00:00

Festimet në Turqi për fitoren e Recep Tayyip Erdogan, duket se nuk janë ndërprerë nga konstatimi i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve.

Grupet e pavarura politikisht të monitorimit e kanë kritikuar ashpër  klimën e “dhunës dhe frikës”, e cila  parapriu votimin, duke thënë se mjedisi i sigurisë, arrestimet e aktivistëve të opozitës dhe mbytja e lirisë së shtypit, të kombinuara së bashku e bënë  fushatën e  “padrejtë”.

Presidenti turk, Erdogan, deklaroi më parë se ai meriton respekt nga e gjithë bota pas rezultatit të së dielës. Por misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve  shprehu  shqetësime serioze gjatë një konference shtypi në Ankara.

“Kjo fushatë ishte e padrejtë dhe karakterizohet nga shumë dhunë dhe frikë”, këto ishin fjalët e Andreas Gross, kreut zviceran të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian.

Por për liderin e Ankarasë aktori i fundit vendimtar në botën politike është vullneti kombëtar.

“Pse mediat botërore kanë një interes kaq të madh se çfarë po ndodh në Turqi dhe ndërkohë ata injorojnë ato që ndodhin në vendet e tyre? Pse nuk respektojnë vullnetin kombëtar? Vullneti kombëtar ka zgjedhur me 52%. Ata ende nuk po e respektojnë këtë fakt”, tha Erdogan.

Por sikurse raporton “The Guardian”, mbështetësit e AKP nuk janë shqetësuar nga kritikat të misionit ndërkombëtar, madje shumë prej tyre janë edhe skeptik për perspektiven europiane të Turqisë, pasi sipas britanikes, janë të zhgënjyer nga hipokrizia europiane për krizën e refugjatëve sirianë.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim triumfoi në zgjedhjet parlamentare të Turqisë duke rifituar edhe mazhorancën e humbur në muajin qershor. Pas numërimit të votave, AKP-ja rezulton të ketë siguruar 49,4% të tyre, ndërsa partia kryesore e opozitës, ajo republikane CHP nuk shkoi më shumë se 25.4%.

Nga ana tjetër kritikët akuzojnë Recep Tayyip Erdogan për autoritarizëm dhe dëshirë për të transformuar Turqinë në një republikë presidenciale, duke realizuar kështu ambicien e tij personale politike.

Top Channel