Lirohen studentët që hodhën vezë ndaj kryeministrit

02/11/2015 19:45

Askush me përjashtim të disa të rinjve ndoshta, nuk e kishte menduar se fundi i një aktiviteti rutinë, si ato që kryeministri zhvillon thuajse çdo ditë do të kthehej në ngjarjen e ditës. Pas përfundimit të takimit me përfaqësues të biznesit të vogël që u zhvillua në sallën e Fakultetit të Çështjeve Sociale, kryeministri u godit me vezë nga një grup studentësh.

Vezët janë hedhur në momentin kur kryeministri po hynte në makinën e tij, por asnjëra nuk e goditi atë. Policia ndërhyri menjëherë duke larguar turmën e studentëve protestues si dhe ka shoqëruar 8 prej tyre, që i përkasin “Lëvizjes për Universitetin” dhe “Klubit Politik të Studentëve” nga Kosova.

Mësohet se protagoniste e incidenti ka qenë studentja Klodi Hoxha, një nga aktivistet protestuese të studentëve kundër ligjit të ri për arsimin e lartë. 23-vjeçarja Hoxha ka qenë ajo që ka qëlluar e para me vezë në drejtim të kryeministrit.

Pas shoqërimit nga policia, fillimisht të rinjtë janë dërguar në Komisariatin nr. 2 dhe rreth orës 14:00 janë transportuar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë.
    
Sipas “Lëvizjes për Universitetin” të ndaluarit nga policia ishin Anita Lushi, Bora Mema, Klodi Hoxha, Viki Cipi, Liri Kuçi, Durim Jasharaj, Dardan Konjufca dhe Valton Marku.

Ndërsa të ndaluarit u dërguan në mjediset e Drejtorisë së Policisë, shokë të tyre dhe përfaqësues të “Lëvizjes…” u mblodhën përpara godinës duke kërkuar lirimin.

Pas gati shtatë orësh të shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, studentët u liruan, ndërsa do të hetohen në gjendje të lirë lidhur me sulmin me vezë ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Do të hetohemi sikur nuk iu jemi bindur policisë, ndërkohë që ka qenë krejt e kundërta, pasi policia ka ushtruar dhunë ndaj studentëve.”

“Rezistenca vazhdon ashtu siç kemi bërë thirrje deri më tani, me protesta, me zaptime, me akte nga më të ndryshme. Ky është vetëm fillimi, pasi nuk ka për të kaluar ajo reformë.”

Ajo që ra në sy ishte dhe prania e studentëve nga Kosova.

“Aksioni me vezë nuk është autentik i Vetëvendosjes, apo ndonjë subjekti tjetër. Kemi edhe praktika të tjera që ndodhin në vende të tjera të botës, por këtë e shohim si një formë presioni për të realizuar kërkesat tona. Kemi parë mediat që kanë raportuar sikur ne i përkasim Vetëvendosjes, ose ndonjë partie tjetër në Kosovë, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi aktivistë të “Klubit Politik të Studentëve.”

Veç shumë studentëve, përpara ambienteve të Drejtorisë së Policisë kanë qenë edhe familjarë të të ndaluarve, pedagogë, por edhe figura politike të Partisë Demokratike.

Top Channel