Haradinaj, padi për shpifje kryekomunarit të Pejës

03/11/2015 00:00

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, pasi ky i fundit në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, citohet të ketë thënë se, lideri i AAK-së dhe njerëzit e tij ende bëjnë para me derivate dhe lojëra fati.

Në këtë artikull të Der Standard, ku Haradinaj përshkruhet si ndër figurat kyçe të UÇK-së, përmenden edhe ballafaqimet ndërmjet dy krahëve, UÇK-së dhe FARK-ut të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku Muhaxheri citohet të ketë thënë se “kanë qenë 5 ose 6 skuadra pushkatimi të ngarkuara për të spastruar”.

Lidhur më këtë, në reagimin e Haradinajt thuhet “pas shpifjes për Radoniçin që Isa Mustafës, pashpjegueshëm, i kishte dalë prej kontrollit, tashmë ky farë Muhaxheri del me një tjetër margaritar të skuadrave vrasëse ne Dukagjin dhe gënjen përtej mendjes që e ka, duke bërë përpjekje që emrin tim dhe të njerëzve të ndershëm të UÇK-së, ta lidhë me vrasjet me bixhozin dhe kontrabandën e naftës! Mesazhi im publik për Muhaxherin në Pejë e muhaxherët tjerë kudo ku janë dhe për shefat e tyre në Prishtinë është se Komunizmi në Pejë e në Prishtinë nuk kthehet, as sot as pas 20 vjetësh, as kurrë! As Serbia s’ka më punë në Kosovë”.

E gjithë kjo sipas Haradinajt është shenjë hakmarrje pasi siç shkruan ai “u kam dalë në pritë që të mos e kthejnë Serbinë në Kosovë dhe të mos e zbresin Malin e zi në Rugovë!”

Top Channel