Mos veproni si unë!

03/11/2015 00:00

Nga Dori Daka – Dua ta nis këtë shkrim me një kërkesë publike për falje. Një kërkesë drejtuar një familjeje, e cila, nga një vendim i imi profesional “i papjekur” etikisht, mund të ketë vuajtur pasoja të rënda. Mbase edhe më shumë se kaq. Pasoja që unë nuk i di, por qartësisht i marr me mend.

I mora me mend, deri diku, edhe ndërsa bluaja me vete, nën presionin e kohës dhe të joshjes për “sensacion” dhe “audiencë” vendimin që më ka bërë të më vijë turp nga vetja, për herë të parë në karrierën time. Me ka bërë të kaloj net të shqetësuara dhe ditë me brerje ndërgjegjeje. Bëhet fjalë për një të ftuar në emisionin, autore e të cilit jam, emrin e të cilit, për respekt të të gjithë të përfshirëve nuk dua ta përmend. Një i ftuar, që nuk duhet të kishte ardhur kurrë, edhe pse profesionalisht gjithçka mund të dukej “e kopsitur”. Shpresoj që një ditë familja e tij të arrijë të më falë. Por nuk është se e pretendoj. Kanë gjithë të drejtën të mos e bëjnë. Dhe mua do të më duhet të jetoj me këtë realitet.

E nisa me këtë ndjesë publike, personale, për të folur për një realitet mediatik në të cilin jemi të përfshirë të gjithë – ne,  “gatuesit” e lajmeve dhe të tjerët ,“lënda e parë” e tyre: njerëz të thjeshtë apo dinjitarë. Nuk dua të flas për këta të fundit, për sa kohë që dinë t’i dalin zot vetes në çdo rrethanë, veçanërisht kur u bëhet padrejtësi, pasi kanë “cipën” e stërvitur dhe para për të paguar procese gjyqësore me mediat. Dua të flas për “njerëzit e thjeshtë” – ata që, me raste, e shohin veten “të futur” nëpër rreshta, tituj, nëntituj, foto, komente denigruese, lajme të pavërteta, të fryra, të tjetërsuara, shtrembëruara, ose qëllimisht dashakeqe. Mendimi im personal është se ky realitet po shtohet proporcionalisht me ethet dhe presionin, nën të cilin ndodhen shumë gazetarë për rekorde “klikimesh” ose shifra të larta “audience”. Dhe ky objektiv, që për disa është i vetmi parametër i “suksesit”, shpesh të err sytë, duke të shndërruar në një qenie të pandjeshme ndaj pasojave që germat e tua mund të kenë në transformimin për keq, me pa të drejtë, të jetës së dikujt ose të disave.

Dikush mund të më thotë: fol për vete. E drejtë. Nuk kam ndërmend t’u bëj moral kolegëve të nderuar, edhe kur shoh se si ndonjëherë, nëpërkëmbja joprofesionale që i bëjnë deri edhe njëri- tjetrit tregon se edhe në këtë rast, lufta brenda llojit është më e ashpra. Dua vetëm t’u kujtoj të gjithëve, duke u nisur nga gabimi im, se pikërisht në kohë të vështira dhe nën presion tregohet edhe thelbi i karakterit, përkatësia shpirtërore ndaj të mirës ose të kundërtës së saj, integriteti moral dhe ai profesional. Në kohë të vështira, kur të duhet të bësh zgjedhje që mund të kenë pasoja përfituese mbi ardhmërinë tënde, duhet të tregosh se “çmimi” për “blerjen” e saj nuk duhet të jetë kurrsesi “pagesa” e rrënimit e të ardhmes së dikujt tjetër. Gjatë viteve të punës kam parë efekte të drejtpërdrejta dhe “anësore” të asaj pjese të medias që vepron me dashakeqësi të qëllimtë apo në injorancë. Kam parë individë të përmenden në media për vepra të shëmtuara që nuk i kanë bërë, të depresionohen e përfshihen nga ankthi, së bashku me familjet e tyre. Të ndihen të kallur në dhe, goditur nga damkosja e një turpi që nuk u takon. Njerëz që u është helmuar e tashmja dhe tronditur e ardhmja, që nuk dinë se çfarë të bëjnë, ku të shkojnë, si ta “pastrojnë” emrin, sepse nuk kanë as para, as besim, as frymë e energji për të kërkuar drejtësi. Njerëz që ulin kokën, mallkojnë dhe ia lënë gjithçka “në dorë” Zotit. Janë drama përtej dramave. Drama për të cilat ne, gazetarët, nuk flasim kurrë.

Besoj, të gjithë kolegeve të mi mund t’u vijnë ndërmend raste të tilla. Dhe besoj se të gjithë ne, gazetarët, e dimë që kemi në dorë një armë të fuqishme, me të cilën mbrohet drita, por mund të mbillet edhe terri. Ne jemi ata që shkruajmë përditë për atë që mendojmë se është e drejtë, për ata që kanë nevojë për drejtësi, për ata që nuk kanë zë, mundësi, frymë, guxim, për ata që janë si vetë ne, njerëz të thjeshtë, në një botë shpesh të padrejtë, por që mund të ndryshohet. Le të jemi përshpejtuesit e ndryshimit, jo garuesit syerrur të sensacioneve vrastare e helmuese që shtojnë “klikimet”, por pakësojnë shpresën, shtojnë “viktimat” dhe ulin vetërespektin e moralin, pa të cilat profesioni ynë nuk mund të kryejë misionin e tij.

Le të mendojmë dy herë, madje tre a më shumë, kur flasim e shkruajmë për dikë, sepse veç tij, pas tij, ka njerëz, lëndimi pa të drejtë i të cilëve do të ishte një mëkat shumë i madh. I pafalshëm. Pashmangshmërisht i shlyeshëm. Në mënyra të ndryshme.

Duke iu rikthyer historisë sime të fillimit, do të thosha se  tundimi për audiencë është shumë i madh. Unë e provova. Nuk ia dola ta përballoja. U josha. Gabova. Jam e bindur që kolegët e mi do të jenë shumë më të kthjellët dhe të prerë në raste të tilla dhe unë do të kem nga të marr shembull.

Gazeta Shqip

Top Channel