PD: Rama vjedh paratë e popullit përmes tenderave

03/11/2015 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho akuzoi kryeministrin Rama për vjedhje të parave të shtetit përmes tenderave të dyshimtë dhe fituesve të paracaktuar në to.

Këto lekë, tha ai, i janë marrë popullit nëpërmjet taksave dhe janë ndarë ndërmjet Edi Ramës dhe njerëzve të tij që e financuan për të ardhur në pushtet.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, është tronditës, është tregues se si po qeveris Edi Rama me ministrat e tij, me filozofinë e grabitjes, e zhvatjes së fondeve e pasurisë publike. Dëmi i shkaktuar shtetit është i paprecedent. 777 milionë euro, vetëm për vitin 2014. Para të ndara mes tyre, si kope ujqërish që i janë sulur fondeve për të përvetësuar ku të mundin e sa më shumë të mundin. Kontributin kryesor në këtë zhvatje e ka Edi Ramën me aferën e CEZ-it. Po nuk ngelen pas dhe të tjerët me tenderat dhe koncesionet ku fituesi është i paracaktuar. Në 399 tendera janë konstatuar 1254 shkelje të procedurave të prokurimit. Janë para që u janë marrë shqiptarëve me rritje taksash, me dhunë e me burgim, për t’i ndarë Edi Rama dhe ministrat e tij me miqtë dhe klientelën. Me papulët, carapulët e tërë sojin e tyre që kanë mbajtur Edi Ramën me para dhe kanë financuar fushatën e tij”, tha Spaho.

Top Channel