Zgjatje e koncesionit të Rinasit në këmbim të liberalizimit

03/11/2015 15:30

Qeveria shqiptare i ka ofruar kompanisë gjermane, që ka ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare, zgjatjen e koncesionit të aeroportit të Rinasit, në këmbim të liberalizimit të këtij shërbimi, të cilin qytetarët mund ta marrin edhe përmes aeroportit të Kukësit.

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, gjatë një vizite në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, thotë se negociatat me kompaninë vazhdojnë.   
 
“Kemi ofruar që të kompensojmë me zgjatje të periudhës koncensionare çdo dëm që mund t’i vinte aeroportit të Rinasit nga aeroportet e tjera, ky është parimi themelor i negociatave, nëse pranohet do të kemi një marrëveshje nëse nuk pranohet ka dhe mënyra të tjera për të hapur mundësinë për të patur shërbime aeroportuale edhe në zona të tjera të vendit, në verilindje, kukës apo në jug të shqipërisë”, tha Haxhinasto.
 
Monopoli i fluturimeve ka shndërruar aeroportin Nënë Tereza në aeroportin me çmimet më të larta për fluturime krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Për këtë arsye qytetarët shqiptarë detyrohen t’i kryejnë shpesh këto shërbime në vendet fqinje si Maqedoni, Mal të Zi etj.

Ministri Haxhinasto u ndal edhe tek koncesioni i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, për të cilin tha se qeveria nuk ka përcaktuar ende çmimin që do të paguajnë qytetarët, por se kjo do të vlerësohet në bazë të formulës financiare të paraqitur nga kompanitë.

Lidhur me protestën në shërbimin e transportit ndërqytetas Tiranë-Elbasan, ministri Haxhinasto tha se Shqipëria ka mbi dyfishin e linjave përkatëse dhe se së shpejti do të nisë riorganizimi i operatorëve në shoqëri bashkiake. 

Top Channel