Kosovë, projekti i Brezovicës rrezikon të dështojë?

03/11/2015 00:00

Projekti i qendrës turistike të Brezovicës në Kosovë është vënë në pikëpyetje këtë të mërkurë, nga deputetë të Komisionit për Zhvillimin Ekonomik, ndërsa shqetësime për të ka paraqitur edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Deputeti i PDK-së, Besim Beqaj tha se, konsorciumi francez është në kërkim të partnerëve për të mbledhur fondet, ndërsa porositi ministren të shikojë edhe çështjen e shpronësimeve në atë zonë, pasi – sipas tij, – në kohën e regjimit të Milosheviçit atje ka pasur tjetërsim të pronave, të shpronësuara më parë.

“Tashmë kemi çështjen e Brezovicës, e cila besoj se deri më tani ka qenë disa herë në media, duke na fajësuar për vonesa, ndaj dhe kjo do të duhej të sqarohej në 180 ditë pune. Ka qenë tetori afati përmbyllës, e ndoshta është dhënë afat shtesë, por do të ishte mirë të sqarohej sepse këtu ka dilema. Nga sa di unë, ata janë duke bërë takime me biznesin. Nuk e di a janë duke tentuar për të gjetur bashkëpunëtorë, të cilët do t’i ndihmojnë financiarisht, apo janë takime vetëm për të prezantuar një masterplan. Ju e dini, që gjatë këtyre ditëve ata janë ta pranishëm në treg”, tha Besim Beqaj, deputet i Komisionit për Zhvillimin Ekonomik.

“Deri tani, nuk mund të them se nga investitori kemi pasur dokumente, ku ai ka treguar se ka mobilizuar fonde të caktuara. Ai ka një strategji të ndarjes së projektit në segmente të ndryshme. Për shembull, punon me një kompani të ndërtimit të teleferikëve dhe mendon se ai do të vijë dhe të investojë në ndërtimin e teleferikëve. Hotelet do t’ia japë një ndërtuesi hotelesh, e të tilla gjëra. Unë shpresoj që ky projekt do të ndodhë. Mirëpo nuk mundem të garantoj diçka të tillë. Ajo që ne mund të garantojmë është se, projekti nuk do të dështojë për shkak të dështimit të institucioneve. Ne do t’i kryejmë të gjitha detyrimet tona. Ndërkohë, ju e dini që ai ka qenë faktikisht ofertuesi i vetëm”, tha Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Ministrja Bajrami tha se, sipas marrëveshjes për koncesionin e qendrës turistike të Brezovicës, kompania franceze ka afat deri më 24 dhjetor që të kryejë pagesën e saj prej 163 milionë eurosh dhe – sipas saj, – vetëm atëherë projekti mund të nisë të zbatohet.

Pikërisht gjatë kësaj kohe, që në komisionin parlamentar po diskutohej për rrezikun e dështimit të konsorciumit francez, përfaqësuesit e kësaj kompanie zhvillonin takime me biznese kosovare, të cilave ua kanë prezantuar projektin e Brezovicës, duke ofruar mundësi bashkëpunim me kompani lokale.

Top Channel