Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nxitoi të nisë që të hënën përgatitjet për formimin e qeverisë së re.
Fitorja e partisë së tij AKP qe e papritur. Sondazhet parazgjedhore tregonin se forcës politike të themeluar prej Erdoganit, me rrënjët në Islam, do t’i duhej të krijonte një koalicion. Megjithatë me votën e tyre në zgjedhjet e së dielës, turqit i hapën rrugën ekzekutivit njëpartiak.
Mesazhi i stabilitetit në raport me ekonominë, por mbi të gjitha me sigurinë, rrëzonoi te votuesit më shumë se çdo çështje tjetër. Pjesa e elektoratit që nuk e mbështeti, tani shqetësohet se ku do ta çojë vendin dhe republikën laike axhenda islamike e Erdoganit.
Një lloj parehatie rezultati i zgjedhjeve parlamentare turke ka shkaktuar edhe në Bruksel. Ekspertët thonë se një qeveri koalicioni në Ankara do t’i kishte pëlqyer më shumë BE-së. Tani blloku do të jetë i detyruar t’i shkojë pas avazit Erdoganit për sa kohë i nevojitet ndihma e tij në frenimin e fluksit të emigrantëve që nisen nga ky vend drejt “Kontinentit të Vjetër”.
Deklarata zyrtare e BE-së përpara votimeve përcillte dëshirën për një qeveri të qëndrueshme në Turqi. Çështja është se një triumf të tillë kaq të thellë të kreut të shtetit turk, pak kush e kishte parashikuar në Europë. Deri më tani, unioni e ka shmangur përballjen me Erdoganin duke zgjedhur ta mbajë larg, por kriza e refugjatëve, kërcënimi më i madh sot për qëndrueshmërinë e bllokut, i vendos liderët e tij në pozita jo fort të favorshme. Në fund të fundit, tani më shumë kanë ata nevojë për liderin turk sesa ai për BE-në dhe nuk dihet sesa lëshime do të jenë të gatshëm të bëjnë pa shkelur parimet e tyre bazë.
Top Channel