Arratisja e Zefit, arrestohen dy efektivë policie

03/11/2015 18:30

Dy efektivë policie janë arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës pas arratisjes gjatë paradites së të martës të Bledar Zefit nga komisariati nr. 3. Të arrestuarit janë Arsela Hajdini dhe Bajram Elezi.

26-vjeçari Bledar Zefi, i arrestuar nga forcat operacionale herët në mëngjesin e së martës, arriti të largohej nga komisariati vetëm dy orë pas arrestimit. Ai rezulton i dënuar për grabitje me armë nga një gjykate italiane dhe ishte në kërkim ndërkombëtar. Urdhri për arrestimin e tij është ekzekutuar nga policia dhe ai është transferuar për në qelitë e Komisariatit nr. 3. Në momentin e largimit ai ka qenë i shoqëruar nga dy policë në korridorin e ndërtesës dhe ka qenë i palidhur me pranga.

Kamerat e brendshme të sigurisë së komisariatit kanë filmuar momentin kur dy policët janë goditur nga 26-vjeçari dhe nuk kanë mundur të reagojnë për ta ndaluar atë.

Pasi ka goditur policët, i arrestuari ka dalë në rrugë me vrap dhe është larguar mes pallateve të “Rrugës Mine Peza” dhe nuk është pikasur më nga policia.

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa nisi hetimin nga ku rezulton se në këtë mes janë të implikuar vetëm dy policët që e shoqëronin 26-vjeçarin.

Top Channel