Raporti në Kosovë: Zyrtarët vijojnë të pasurohen, të paprekshëm nga drejtësia

03/11/2015 00:00

Nga një raport i publikuar prej Grupit për Studime Juridike dhe Politike rezulton se, zyrtarët e shtetit vazhdojnë të pasurohen me shpejtësi, ndërsa vazhdojnë të mbeten të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë.

Madje, sipas këtij raporti, as prokurorët e gjykatësit nuk po arrijnë të zbatojnë me përpikmëri dispozitat për të konfiskuar pasuritë e paligjshme.

Raporti i GSJP-së, me titull “Konfiskimi i pasurisë së paligjshme në Kosovë. Koha për një politikë të re”, tregon gjithashtu se nga 16 milionë euro pasuri e sekuestruar, vetëm një milion janë derdhur në buxhetin e shtetit.

Sipas prokurorit Shqipdon Fazliu, ajo që mungon është sistemi i llogaridhënies për t’i mbajtur përgjegjës prokurorët e gjykatësit, që nuk po arrijnë të konfiskojnë pasuritë e paligjshme. Ai përmendi një rast, ku prokurorët nuk kanë konfiskuar automjetin, më të cilin janë trasportuar rreth 30 kilogramë drogë.

“Nuk mundemi që në emër të pavarësisë, automjetet që janë kapur në kufi, të cilat dihen qartësisht se kanë kaluar nga Shqipëria në Kosovë me 15-20 apo 30 kilogramë drogë, të lihen të lira, sepse këtu duhet të hyjë procesi i llogaridhënies. Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të marrin masat e nevojshme dhe të përshtatshme, të cilat duhet të shkojnë deri në shkarkimin e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha Shqipdon Fazliu, prokuror.

“Është e domosdoshme të luftohet korrupsioni dhe të miratohen politika të reja, të cilat do të varfërojnë kriminelët duke ua konfiskuar pasurinë e paligjshme. Kjo është dëshmuar se është edhe praktika më e mirë. E dyta, kjo duhet të bëhet tani. Pra, nëse kjo betejë nuk fillon menjëherë, ajo do të vazhdoj të mbajë Kosovën larg integrimeve”, tha Ruairi O’Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkaq, për kryeshefin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar, Rrahim Rama, ajo që vazhdon të mbetet problem është zvarritja e lëndëve në gjykata, duke bërë që në këtë mënyrë t’i humbasë vlera pasurisë së konfiskuar.

“Ne kemi me qindra automjete që rrijnë në parkingjet, në depon tonë në Llukar, në dalje të Prishtinës, dhe natyrisht që humbasin çdo ditë vlerën materiale. Llogariteni sikur ato automjete të ishin shitur me kohë. Ka automjete, vlera e të cilave shkon nga 1 mijë euro deri në 100 mijë euro. Një veturë me vlerë 50 mijë euro, që qëndron për 5 vite në depo, humb diku rreth 80 për qind të vlerës së saj. E meta e saj, në rast se pala e dëmtuar do ta fitojë procesin, ajo do ta padisë shtetin për t’iu kthyer vlerën e munguar. Natyrisht, pala e dëmtuar nuk do të pranojë të marrë një automjet, të cilit i ka rënë vlera. Me ligj e kemi të rregulluar, por nuk e kuptoj përse nuk zbatohet ligji”, tha Rrahim Rama.

Top Channel