18-vjeçarja që “braktisi” Instagramin

03/11/2015 00:00

Ajo është një bjonde e bukur 18-vjeçare, me një trup perfekt dhe në dukje shumë e lumtur. Është frymëzim për 574 mijë ndjekësit e saj në Instagram, 250 mijë në Youtube dhe rreth 60 mijë në Snapchat. Sot, ajo i ka dhënë fund të qënit një yll i mediave sociale.

Essena O’Neill, adoleshentja australiane është lodhur nga mashtrimi i rrjeteve sociale, ku ajo vetë “vuante” për t’u treguar të tjerëve se është  gjithmonë e përkryer. Nga ditët e fundit të tetorit, çdo adresë e saj është inaktive, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga “selfie”-t, postimet dhe gjithçka tjetër, që lidhej me këshillat për të pasur një trup sa më perfekt.

O’Neill fshiu 2 mijë foto, e riquajti adresën e saj “Media sociale nuk është jeta e vërtetë” dhe i ndryshoi emërtimet e fotove me anekdota të vërteta, në mënyrë që të tregojë sesa shumë punë dhe sa nën presion kish qenë për t’u dukur perfekte.

“Kam shpenzuar pjesën më të madhe të jetës sime prej adoleshenteje e fiksuar pas medias sociale, të pranohesha nga shoqëria dhe të dukesha në formë të shkëlqyer fizike”, shkruajti vajza në postimin e saj të fundit në Instagram, më 28 tetor.

Për këtë qëllim, O’Neill kaloi nga Youtube në Vimeo, aty ku ajo tashmë do të shkarkojë video të përditshme, që mbështeten në vlera pozitive dhe jo në pëlqime. Kauza e saj sapo ka nisur. “Krijoni një platformë sociale që të mos bazohet mbi shikime, ndjekës, pëlqime. Ndërtoni diçka mbi vlerat e vërteta dhe dashurinë. Dhe ju lutem: Nxitoni!”.

Top Channel