Kryebashkiaku i Krujës reagon pas akuzave të opozitës

03/11/2015 00:00

Artur Bushi, kryebashkiaku i Krujës, ka reaguar të martën pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike në lidhje me humbjen e vulës së institucionit që ai drejton, duke i cilësuar akuzat e ngritura si trillime.

“Për humbje të objekteve personale, unë denoncimin e kam bërë pranë organeve kompetente brenda 5 minutave që kam konstatuar që në makinën time mungon çanta, 2 orë pasi kam dalë nga zyra, dhe kjo ngjarje ka 1 muaj që ka ndodhur. Por ky fakt, nuk e ndal as Saliun dhe as Ristanin që të vazhdojnë në atë vazhdën e trillimeve dhe politikës super banale të shpifjeve dhe sajimeve të njohura që çdo incident normal, ta përkthejnë në një histori të pavërtetë dhe komplet jashtë realitetit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Artur Bushi.

Kryetari i Bashkisë  së Krujës thotë më tej në deklaratë se “duke konsideruar çdo përgjigje ndaj shpifjeve të këtyre njerëzve, unë e konsideroj humbje kohe, dua të them që unë çdo sekondë, minutë dhe orë të ditës të kohës time, unë e kam në dispozicion të detyrës time dhe përgjegjësisë së madhe që kam ndaj nevojave të infrastrukturës së bashkisë Krujë”.

Top Channel