Vatikan, hetuesit: Një departament është përdorur për pastrim parash

03/11/2015 00:00

Hetuesit financiarë të Vatikanit dyshojnë se një departament i rëndësishëm i Selisë së Shenjtë, që mbikëqyr pasuritë e patundshme dhe investimet është përdorur në të kaluarën për pastrim parash, tregtim të brendshëm dhe manipulim të tregjeve, sipas një raporti që ka rënë në duart e agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Informacioni gjendet në një dokument konfidencial, që mbulon periudhën nga vitet 2000 deri në 2011, është kaluar tek autoritetet hetimore italiane dhe zvicerane për kontrolle të mëtejshme, për shkak se disa aktivitete të lidhura me llogari bankare kanë ndodhur pikërisht në këto vende, bën të ditur një burim i Vatikanit.

Ndërkohë që shumica e mediave që janë fokusuar te financat e vrazhda të Vatikanit kanë prekur prej dekadash bankën zyrtare të Selisë, të quajtur Instituti për Punët e Fesë (IOR), një departament i njohur si Administrata e Trashëgimisë së Selisë së Shenjtë (APSA) ka vepruar si qendra kryesore financiare e saj.

APSA, një lloj zyre e përgjithshme kontabiliteti, menaxhon pasuritë e patundshme të Vatikanit në Romë dhe kudo në Itali, paguan pagat e punonjësve të Vatikanit dhe vepron si zyrë blerëse dhe departament i burimeve njerëzore.

Një prej dy degëve të saj menaxhon gjithashtu portofolin financiar dhe atë të aksioneve. Raporti 33-faqësh dyshon se njëri prej këtyre dy divizioneve është përdorur nga një i jashtëm për biznese që nuk kanë lidhje me Vatikanin, me bashkëpunimin e mundshëm të stafit të APSA-së, në shkelje të plotë të rregullores së saj.

Hetimi i brendshëm është pjesë e një drejtimi të ri të Papa Françeskut për t’i dhënë autoriteteve financiare të Vatikanit lirinë e plotë për të kërkuar thellë në financat, duke anashkaluar disa kardinalë, të cilët duan të harrojnë të kaluarën tashmë që Vatikani i është nënshtruar reformave madhore dhe ka ushtruar kontrolle për të shmangur praktikat e paligjshme.

Nën drejtimin e Atit të Shenjtë me origjinë nga Argjentina, Vatikani ka riorganizuar bankën e saj të rrënuar prej skandaleve, duke i dhënë më shumë fuqi Autoritetit të Inteligjencës Financiare, duke emëruar të parin auditor të përgjithshëm dhe duke ngritur një ministri të re për të mbikëqyrur aktivitetet ekonomike të të gjitha departamenteve, të cilat në të kaluarën kanë ushtruar buxhetet e tyre me shumë pak kontroll ose aspak.

Ende nuk është e qartë nëse kjo është e mjaftueshme për të shfaqur transparencën e plotë financiare të Vatikanit tradicionalisht tepër të fshehtë.

Top Channel