Zgjerohet skandali te Volkswagen

03/11/2015 21:10

Problemi me emetimet te Volkswagen duket se ka qenë më i madh nga sa ishte raportuar më parë. Së fundmi, kompania më e madhe e prodhimit të mjeteve në botë, ka thënë se edhe rreth 800 mijë makinë në të gjithë Europën mund të preken nga ky problem.

Një zëdhënës i gjigandit të automobilave tha për “BBC” se ky problem përfshin marka si VW, Audi, Skoda dhe Seat, ndërsa preken kryesisht makinat me naftë, por mund të përfshihen edhe modele me benzinë. Ky problem i ri mund t’i kushtojë kompanisë deri në 2 miliardë euro.

Zëdhënësi shtoi se kryesisht problemet shfaqet te makinat me motor të vogël, të cilat nuk përmbushin standardet e emetimit të dioksidit të karbonit.

Më parë, Matthias Mueller, shefi ekzekutiv i Volkswagen pati thënë se, “ky është një proces i dhimbshëm, por kjo është alternativa jonë e vetme, e vetmja gjë që ka rëndësi është e vërteta”.

Në një deklaratë të lëshuar nga kompania thuhet se problemi në fjalë nuk ndikon aspak në sigurinë e automjeteve, të cilat janë tashmë në përdorim.

Gjithçka shpërtheu pas vendimit të “Volkswagen” për të tërhequr nga tregu amerikan 500 mijë automjete, brenda të cilave ishte instaluar një pajisje që fshihte emetimin e vërtetë. Pajisja ndihmonte në kalimin e testeve të ndotjes duke treguar të dhëna që ishin brenda kuadrit ligjor të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se ndotja reale mund të shkonte edhe 40 herë më e lartë se norma e parashikuar.

Top Channel