Siria, roli i Assadit për tranzicionin jo parimor për Rusinë; divergjencë me Iranin?

03/11/2015 00:00

Rusia duket se ka ndryshuar qëndrim, duke mos e parë më qëndrimin e Bashar al-Assadit në krye të pushtetit si çështje parimore. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme në Moskë këtë të martë, komente këto që tregojnë një divergjencë këndvështrimesh me Iranin, mbështetësit tjetër ndërkombëtar të presidentit sirian.

Duke ushqyer spekulimet për divergjenca mes Rusisë dhe Iranit, pikërisht për rolin e Assadit në tranzicionin politik si zgjidhje e konfliktit disavjeçar, kreu i Trupave të Gardës Revolucionare të Iranit u shpreh gjatë së hënës se Teherani duket të jetë më i angazhuar ndaj tij sesa Moska.

Gjithsesi, një zyrtar i lartë rajonal paralajmëroi për të mos u bazuar plotësisht në leximin e deklaratave publike mbi Assadin, duke thënë se nuk ka dallime mes Rusisë dhe Iranit për presidentin sirian. Ata janë dakord për qëndrimin e tij në pushtet dhe se, është pikërisht populli sirian ai që zgjedh presidentin e vendit, bëri të ditur zyrtari në fjalë.

E ndërsa Rusia dhe Irani kanë qenë mbështetësit e huaj kryesorë të Assadit gjatë luftës civile 4-vjeçare në Siri, Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre në Gjirin Persik dhe Turqia kanë këmbëngulur prej kohësh se presidenti sirian duhet të largohet nga pushteti, nëse do të bëhen realisht përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje në Siri.

Bisedimet në Vjenë gjatë së premtes, të zhvilluara mes fuqive kryesore të huaja të përfshira në përpjekjet diplomatike mbi Sirinë, rezultuan si të dështuara për të arritur një marrëveshje për Assadin.

I pyetur nga një reporter gjatë së martës, nëse mbajtja e Assadit në pushtet ishte çështje parimore dhe themelore për Moskën, zëdhënësja e Ministrisë ruse të Jashtme, Maria Zakharova u shpreh se “absolutisht që jo, nuk e kemi thënë kurrë këtë”.

“Nuk po themi nëse Assad duhet të largohet apo të qëndrojë”, e ka cituar atë të ketë thënë agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosty”. Por, një tjetër ndryshim regjimi në Lindjen e Mesme mund të rezultojë katastrofale, aq sa “ta kthejë të gjithë rajonin në një vrimë të zezë tepër të madhe konfliktesh”, shton ajo.

Zakharova thotë se Rusia nuk ka ndryshuar politikën e saj mbi Assadin dhe se fatin e tij duhet ta vendosë populli sirian. Por, deklaratat e saj duket se tregojnë një dallim të qartë të sjelljes së tyre krahasuar me Iranin, që ka dërguar forca tokësore për të luftuar në krah të ushtrisë së Assadit, ashtu sikurse dhe grupi libanez Hezbollah, të cilën gjithashtu e mbështet.

Top Channel