Panairi i Turizmit në Londër, Yzeiri: Interesim i madh për Shqipërinë

04/11/2015 00:55

Në Londër po zhvillohet Panairi i Turizmit ku po marrin pjesë 186 vende nga e gjithë bota. Në këtë panair po marrin pjesë edhe operatorët turistikë shqiptarë.

Drejtori i Informacionit në “Top News”, Elert Yzeiri, i cili gjendet në Londër, përmes një lidhje me Skype në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ka dhënë më shumë informacione mbi prezantimin e Shqipërisë dhe operatorëve turistikë shqiptarë në këtë panair.

Yzeiri ka treguar se stenda e Shqipërisë në këtë panair ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes nga operatorët europianë, por edhe ata botërorë. Ai rrëfeu për një interesim të veçantë të vendeve skandinave dhe ato aziatike.

Sipas tij, operatorët turistikë shqiptarë janë optimistë se viti 2016 do të jetë shumë i mbarë për Shqipërinë sa i përket turizmit, kjo bazuar edhe në kontaktet me operatorët e huaj.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Si është prezantimi i Shqipërisë dhe operatorëve turistikë shqiptarë në këtë edicion të Panairit të Turizmit në Londër?

Elert Yzeiri: Ky është njëri nga panairet më të rëndësishëm për vitin 2015, por të mos thënë më i rëndësishmi pas Berlinit dhe atij aziatik të mbajtur në Kinë. Për të thënë të vërtetën në Shqipëri nuk ka pasur hapësirë ose publicitet të mjaftueshëm sa i përket këtyre panaireve ku marrin pjesë operatorët turistikë shqiptarë, por po të prekësh me dorë gjithë atë çfarë ka ndodhur këtyre ditëve në Londër kupton më së miri se paraqitja në panaire të tilla i jep shumë vlera turizmit. Viti 2015 e ka gjetur Shqipërinë me një nga stendat më interesante në bllokun e Ballkanit pasi është bërë edhe një ndarje interesante në EXPO-n e madhe në Londër, ku e gjithë zona e Ballkanit është vendosur në të njëjtin krahë, duke përfshirë të gjithë operatorët e përafërt me njëri-tjetrin si Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Greqia etj. Shqipëria këtë vit ka pasur një përfaqësim vërtet të mirë, me një stendë të kompletuar me 11 operatorë turistikë të cilët kanë sjellë promovim të shkëlqyer të turizmit shqiptar dhe janë përfshirë në axhendat e gjithë operatorëve të tjerë, përmende pak më parë se janë 186 vende pjesëmarrëse me mbi 5000 operatorë turistikë të famshëm në gjithë botën. Janë 40 kompanitë më të njohura të fluturimeve ajrore të gjithë botës të cilat shkëmbejnë me njëra-tjetrën informacione. Unë mund të japë vetëm një informacion se vetëm në dy ditët e para janë vënë mbi 100 mijë kontakte nga të cilat 97% e të cilave kanë mundur që t’u plotësohen kërkesat me të gjithë operatorët turistikë.

Pandi Gjata: Si ka qenë numri i vizitorëve në stendën e Shqipërisë dhe çfarë u ka ngjallur më shumë kuriozitet për Shqipërinë dhe turizmin në Shqipëri?

Elert Yzeiri: Për të thënë të vërtetën, më duhet të pohoj se vetë operatorët turistikë shqiptarë, por edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Zhvillimit dhe Turizmit kanë qenë të habitur nga prezenca dhe interesi i madh që kanë treguar operatorët europianë dhe veçanërisht ata aziatikë për të njohur më mirë Shqipërinë. Mund t’ju kujtoj që vetëm gjatë ditës së sotme stenda ku ndodhën operatorët shqiptarë ka qenë gjatë gjithë kohës me njerëz, me kërkesa, me informacione që shkëmbenin me të gjithë operatorët e tjerë. Shumë të kënaqur kanë qenë operatorët turistikë të cilët kanë krijuar kontakte të rëndësishme, jo vetëm për biznesin e tyre, por edhe mbi të gjitha për promovimin e Shqipërisë. Stenda e Shqipërisë ka ardhur me një brand shumë të mirë, që ne tashmë e njohim prej dy vitesh, ai brand i cili duket se po konsolidohet dhe po i jep një imazh shumë të mirë Shqipërisë. Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë vlera të cilat e kanë plotësuar, pjesa historike me muzetë dhe kalatë gjithashtu është përfaqësuar në mënyrë shumë të mirë, por të kuptohemi se janë shumë pjesë të tjera të Shqipërisë të cilat janë bërë pjesë e imazhit. Mund t’ju kujtoj se para se të mbyllnin ditën e sotme, rreth orës 17:00 me kohën lokale mbyllet dita e panairit, disa operatorë italianë ishin shumë të interesuar për pjesën e Shqipërisë, madje pasi kishin kontaktuar operatorët turistikë shqiptarë komenti që bënin më së shpeshti ishte “Kombëtarja e Shqipërisë është kualifikuar në finalet e Europianit”, kjo është një vlerë shumë e madhe për Shqipërinë e cila ka hyrë edhe te promovimi, duke i dhënë edhe një tjetër imazh vendit tonë.

Pandi Gjata: Cila është pritshmëria e operatorëve turistikë për vitin e ardhshëm nga kontaktet dhe nga këto ditë panairi në Londër? Mund të presim turistë të cilët do të vizitojnë Shqipërinë për herë të parë apo do të jenë të njëjtit turistë, nga vende të cilat tradicionalisht vizitojnë Shqipërinë?

Elert Yzeiri: Ajo që përmenda edhe më parë ishte shtrirja gjeografike në të gjithë hartën e botës. Operatorët turistikë shqiptarë kishin një optimizëm shumë të madh, pasi ky është edhe panairi i fundit i rëndësishëm për përfaqësimin e tyre dhe këtu merren të gjitha kontaktet për vitin 2016 dhe ishte shumë e rëndësishme, pasi pjesa më e madhe e operatorëve turistikë shqiptarë ishin krenarë që kishin arritur të ndërtonin marrëdhënie shumë të mira me të gjithë operatorët e tjerë europianë. Në këtë moment, nuk është Shqipëria që po kërkon tregun europian, pra për të thithur vizitorë, por është tregu europian që po kërkon Shqipërinë. Janë gjetur kontakte shumë të mira me shumë interes. Interes shumë të madh kanë shfaqur vendet skandinave si Suedia, Daniamrka, Finlanda, Norvegjia, të cilat e shikojnë me shumë përparësi, por edhe aziatikët janë shumë të interesuar për këtë pjesë. Panairi i fundit që u mbajt në Kinë ka lënë një përshtypje shumë të mirë dhe kjo ndoshta po ndikon në këto momente. Operatorët shqiptarë po ndihen të obliguar për të ndjekur ritmin të cilin po e kërkon Europa. Nuk është vetëm Kroacia që kërkohet, nuk është vetëm Mali i Zi, por kërkohet shumë edhe Shqipëria. Është bërë një promovim shumë i mirë nga Ministria e Ekonomisë, Zhvillimit dhe Turizmit, gjithashtu edhe nga Agjencia Kombëtare e Turizmit të cilat kanë bërë promovim shumë të mirë të brand-it, por tashmë Shqipëria nuk shikohet si një vend buzë Adriatikut dhe Jonit, por shikohet si destinacion i mirë për të kaluar pushimet në të gjitha stinët e vitit dhe kjo ishte shumë e rëndësishme edhe për operatorët turistikë shqiptarë të cilët e gjetën vetën më të përgatitur këtë vit, ishin shumë optimistë për punën që po bënin, por sigurisht edhe me kontaktet që ata patën dhe krijuan me të gjithë partnerët e tjerë europianë, por edhe ata botërorë.

Top Channel