Luftë në Ballkan? Analistët: Mesazhi i Merkelit për gjermanët, moment i vështirë për të

04/11/2015 00:00

Deklarata e Angela Merkelit në mbledhjen e partisë së saj se, mbyllja e kufijve gjermanë për refugjatët mund të çojë drejt një tensionimi aq të madh të situatës në Ballkan, sa të rrezikojë edhe konflikte të armatosura, patën jehonë të menjëhershme te mediat në rajon.

Por përmes një analize tepër objektive të Dragoslav Dediç, “Deutsche Welle” sqaron se ky ishte një mesazh që i drejtohej opinionit gjerman e jo ballkanasve.

Fjalët e kancelares, saktësisht kanë qenë këto: “Nuk dua që atje të bëhen përsëri të domosdoshme konfrontimet ushtarake”. Merkel më tej shtoi : “Nuk po bëj parashikim negativ, por gjërat ndodhin më shpejt nga ç’e mendon njeriu, një zënkë kthehet shpejt në akt dhune dhe një akt dhune kthehet shpejt në diçka, që askush nuk e dëshiron”.

“Por prisni, para se të filloni të blini konserva, miell dhe vaj”, thotë Dediç. “Shumica e bazës, – kujton ai, – është e zemëruar me ‘mamanë’, siç e quajnë prej kohësh me dashuri kancelaren”.

Zemërimin e shtresës konservatore e ka ushqyer ajo që shihet si zemërbutësi e saj ndaj refugjatëve. Partneri i saj në koalicion, lideri i CSU-së, Horst Seehofer është një kundërshtar i fuqishëm i politikës së ndjekur nga Merkel kundrejt emigrantëve, dhe numri i gjermanëve që mendojnë si ai, sa vjen e rritet.

“Sesa e vetmuar është Angela Merkel në rrethin e saj konservator, – shprehet analisti, – kjo mund të shihet edhe nga fakti se ish-ministri grek i Financave, Janis Varoufakis, njeriu që deri vonë e shihte Merkelin si personifikim të së keqes kapitaliste, tani shprehet krenar për të dhe qasjen që ka marrë ndaj krizës së refugjatëve”.

Kur kancelaren kristiandemokrate e lavdëron një i majtë i betuar, ndërsa pasuesit e saj konservatorë ankohen gjithnjë e më hapur, atëherë pozita e saj nuk është e favorshme. Për këtë arsye, në këndvështrimin e Dediçit, paralajmërimi për konflikte të mundshme në Ballkan vjen nga refleksi mbrojtës i Merkelit.

Ajo në fakt i thotë bazës së saj: Nëse nuk pranojmë refugjatët, do të ketë luftë. Kjo është një përpjekje për një shantazh moral, që krijohet kur gruaja më e fortë në botë vendoset me shpatulla pas muri.

Top Channel