PD: Qeveria rriti taksat, por grumbulloi 70 mln euro më pak

04/11/2015 11:50

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, deklaroi se, ndryshe nga pretendimet e “qeverisë së gjeneratës tjetër se kishte krijuar një buxhet që do ta nxirrte vendin nga prapambetja në rritje ekonomike, raporti i KLSH-së, i dorëzuar pak ditë më parë në Kuvend, dëshmon atë çfarë opozita ka denoncuar, por edhe çdo qytetar i këtij vendi ka përjetuar”.

”Nga një anë merr paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ua jep kompanive të miqve qeveritarë me tendera abuzivë, ndërkohë që nga ana tjetër është rritur kontrabanda, abuziviteti për miqtë biznesmenë të cilët kanë rritur fitimet e tyre, ndërkohë që të ardhurat nuk realizohen edhe pasi qeveria ka riparë për mbi dy herë buxhetin e vitit 2014.
Drejtoria e tatimeve dhe doganave, të cilat vitin e shkuar u dekoruan për tejkalimin e planit, kanë mbledhur 70 milion euro më pak të ardhura, ndonëse taksat për qytetarët u rritën”, u shpreh Tabaku në një deklaratë për mediat ditën e mërkurë.

”Ndërkohë që kërbaçi dhe burgu ndaj të varfërve dhe të dobtëve u shiten si shtetformim, institucionet qeveritare kanë abuzuar me 399 tendera ku janë vërejtuar 1254 shkelje duke i shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit, prej 777 milionë euro”, shtoi Tabaku.

Top Channel