NBA, Los Angeles Lakers nuk ngrenë kokë

04/11/2015 12:15

Los Angeles Lakers nuk ngre kokë në NBA. Skuadra kaliforniane pësoi humbjen e katërt në katër ndeshjet e para të sezonit dhe këtë radhë u mposht në “Staples Center“ nga Denver Nuggets me rezultatin 109-120. Keneth Faried me 28 pikë dhe 15 topa në tabelë ishte ai që mori përsipër të udhëheqë Denverin drejt kësaj fitoreje. Lakers e nisën mirë sfidën, teksa fituan periodën e parë me rezultatin 36-30, por më pas gjithçka foli për Nuggets, që në fund regjistruan fitoren e dytë sezonale.

Edhe Memphis rikthehet te fitorja. Skuadra e Grizzliess arriti të lërë pas krahëve humbjen poshtëruese me Golden State Warriors, duke mposhtur në sfidën e radhës Sacramento Kings me rezultatin 103-89. Në këtë përballje, basketbollistët e Memphis treguan atë që ata dinë të bëjnë më mirë, lojën në mbrojtje, duke dominuar statistikat përsa u përket topave në tabelë. Zac Randolph me 20 pikë dhe 11 topa në tabelë ishte ai që spikati për Grizzlies, që tani ka një bilanc prej 3 fitoresh dhe 2 humbjesh.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Atlanta Hawks mundi Miami Heat 98-92, Charlotte Hornets mposhti Chicago Bulls 130-105, ndërsa Dallas Mavericks pësoi disfatë nga Toronto Raptors 91-102.

Top Channel