Shkodër, 25-vjetori i meshës së parë; Kujtohet akti i Dom Simon Jubanit

04/11/2015 00:00

Pas 23 vitesh mohim të fesë ndaj shqiptarëve nga diktatura komuniste, në vitin 1990, kleriku Dom Simon Jubani do të mbante në Shkodër meshën historike të rikthimit të besimit. Po në atë vend, ku u mbajt kjo meshë, u kremtua këtë të mërkurë 25-vjetori i aktit të Dom Simon Jubanit, hapi i parë i rikthmit të një të drejte deri atëherë të mohuar për shqiptarët.

“Guximi i Dom Simon Jubanit me disa meshtarë dhe guximit të disa besimtarëve kanë bërë që feja të fillojë të shfaqet përsëri haptazi, duke hedhur themelet për ngjarjen e madhe të fesë të 11 nëntorit të po atij viti, kur prania e popullit në këto varreza u bë e papërmbajtshme, por edhe për 16 nëntorin, kur vëllezërit myslimanë e morën sërish xhaminë simbol të fesë së tyre, gjithashtu të ndaluar nga totalitarizmi komunist ateist”, u shpreh kleriku katolik Angelo Massafra, arqipeshkv i Shkodrës.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë meshë, u shpreh se “në këto varreza, një stacion i kishës në historinë e kulturës, artit dhe aspektit shpirtëror, janë një pjesë, pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbiste kuptimin”.

“Në këto varreza dhe në këtë tempull nën qiellin e hapur, kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë, pedagoge të shpirtit, u bë tharmi i emancipimit të një kombi të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi kohët pas meshës së 4 nëntorit. Unë jam ndër ata që besoj se, historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri filloi atë ditë këtu dhe se pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani. Në imazhe dhe në simbole, që janë ekonomia e fjalëve të pathëna dhe të pashqiptueshme, për nga forca që bartin, çfarë ndodhi në fund të vitit 1990, në nëntor këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përveç se këtu”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se, “Mesha e Dom Simon Jubanit u dha zemër të gjithë besimtarëve të Zotit dhe ishte një goditje në zemrën e regjimit komunist, që i kishte privuar qytetarët nga liritë e të drejtat themelore. Basha theson se, mesha e 4 nëntorit rihapi për shqiptarët rrugën e lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe lirive politike.

Top Channel