PD, Basha: Nderime klerit shqiptar, nderime Dom Simon Jubanit

04/11/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook, ka përkujtuar këtë të mërkurë meshën e parë katolike të mbajtur në nëntor të vitit 1990, në momentet kur në Shqipëri sapo ishte rrëzuar diktatura komuniste. Kryeopozitari ka shprehur vlerësimet e tij për klerin shqiptar të të gjitha besimeve, që ka mbajtur ndezur flakën e besimit në Zot.

“Si sot 25 vite më parë, në Shqipëri u rikthye e drejta e shprehjes dhe liria e ndërgjegjes, me një akt historik të kurajos civile të Dom Simon Jubanit, me meshën që mbajti në varrezat e Shkodrës. Mesha e Dom Simon Jubanit u dha zemër të gjithë besimtarëve të Zotit dhe ishte një goditje në zemrën e regjimit komunist, që i kishte privuar qytetarët nga liritë e të drejtat themelore. Pas kalvarit të terrorit dhe burgosjes të mijëra vetëve, që guxuan të shprehnin adhurimin ndaj Zotit, mesha e 4 nëntorit rihapi për shqiptarët rrugën e lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe lirive politike. Nderim të përjetshëm për Dom Simon Jubanin dhe veprën e tij. Nderim për klerin shqiptar të të gjitha besimeve, që mbajti të ndezur flakën e besimit në Zot”, ka shkruar kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Top Channel