Rrëzimi i avionit rus, bishti 5 km larg trupit; dyshime për dëmtim në ajër

04/11/2015 00:00

Analizimi i mbetjeve të fluturimit “9268” ka nxjerrë në dritë të reja, që ushqejnë spekulimet e një dëmtimi në ajër, ose nga një shpërthim në bord, ose nga problemet me riparimin e mjetit, që disa kohë përpara tragjedisë ishte përfshirë në një tjetër aksident.

Bishti i “Airbusit A 321” të rrëzuar të shtunën në gadishullin egjiptjan të Sinait u gjet 5 kilometra larg trupit të avionit. “Bishti mund të ketë qenë i dëmtuar që përpara përplasjes në tokë”, – thotë CNN, duke cituar analisten e Aviacionit Civil, Mary Schiavo.

Sipas saj, pjesa e pasme e avionit është shkëputur përpara rënies. Edhe pse aksidenti, në të cilin ishte përfshirë avioni daton në 2001-shin, kohë kur nga përplasja në pistë gjatë uljes mbeti i dëmtuar bishti i tij, Schiavo këmbëngul se një riparim jo i mirë mund të japë pasoja të rënda edhe në periudhë afatgjatë.

Ajo kujton se i ka qëlluar të shohë diçka të tillë me një avion të rrëzuar, gati dy dekada pas një dëmtimi që dukej se ishte rregulluar. “Riparimi i keq është si bombë me sahat, – këmbëngul Schiavo. – Kur një difekt i pazgjidhur mirë është në avion, ai mbetet aty përgjithmonë”.

Zëdhënësi i kompanisë ajrore, Andrei Averyanov sqaroi se “Airbusi” i rrëzuar ka pësuar vërtet dëmtime 14 vite më parë, por në 2013-n kishte kaluar një sërë kontrollesh të imtësishme për disa krisje që – sipas tij, – nuk ka gjasë të jenë kthyer brenda një kohe kaq të shkurtër në të çara të mëdha dhe kritike për sigurinë.

Ekspertët mjekoligjorë i ndajnë në dy kategori llojet e traumave të vëna re te 224 viktimat e aksidentit ajror: dëmtime nga rrëzimi dhe plagë që kanë të bëjnë me një shpërthim, siç janë ato të shkaktuara nga copa metali në trup. Autoritetet, për çdo rast këmbëngulin se është ende shpejt të thuhet me saktësi, se cili është shkaku i këtij episodi fatkeq.

Top Channel